I ka paraprirë përjashtimit nga partia, ish-lideri i FPOE në Austri Heinz Christian Strache. Ish-lideri i ekstremit të djathtë deklaroi dhe largimin përfundimtar nga skena politike pas skandaleve që e kanë përfshirë muajt e fundit.
Ish-lideri i ekstremit të djathtë në Austri FPOE, Heinz Christian Strache, është larguar nga partia që ka drejtuar për 14 vjet, si dhe deklaroi daljen përfundimtare nga skena politike. Ish zv/kancelari i parapriu përjashtimit nga partia pas skandalit të Ibiza–gate, si dhe për shpenzimet e tepruara të bashkëshortes së tij, duke përdorur buxhetin e partisë. Strache ka mohuar të gjitha akuzat dhe theksoi se nuk po synonte përçarjen e partisë.
Skandali në mazhorancën qeveritare në Austri, që çoi dhe vendin në zgjedhje të parakohshme, shpërtheu pas publikimit të një video nga Der Spiegel. Në video ish zv/kancelari fliste me një vajzë të re ruse, mbesë e një njeriu të pasur, e cila i ofronte 250 milionë euro për të aksione të medias austriake, në mënyrë të veçantë të “Kronen Zeitung”.
Në një kohë që burimi i parave nuk bëhej i ditur. Strache i propozonte që ta blinte tre javë para zgjedhjeve europiane me kusht që partia e tij të renditej e para në sondazhe.
Video dokumenton një takim 7 orësh, ku ndër të tjera Strache dhe krahu i tij i djathtë lavdërojnë sistemin e kryeministrit hungarez Viktor Orban, për të kontrolluar mediat në vend. Strache e kishte pranuar takimin duke e cilësuar si një ditë feste dhe pije./ABC News Albania 24/7