Spanja siguroi kualifikimin në fazën e 1/8 të Botërorit, duke u rikthyer edhe një herë të parashikimet e përpara nisjes së turneut, që e shihnin atë si favorite kryesore për Kupën e Botës.
Kampionët e Botës mundën 3-0 Austrinë, duke dominuar në të gjithë komponentët e ndeshjes.
Spanjollët vendosën menjëherë ligjin e tyre, duke bërë atë që dinë të bëjnë më mirë. Kontroll i topit dhe vertikalizime të shpejta, sidomos nga krahët, me Lamin Yamal që si gjithmonë i rrezikshëm sa herë që kishte sferën në këmbë.
Ngulmimi i skuadrës së drejtuar nga Luis De La Fuente do të përplasej me mbrojtjen e Austrisë. Por të besuarit e Ragnick do të dorëzoheshin në minutën e 37-të. Kukureja gjeti në qendër të zonës Ojrazabal, që me një penallti në lëvizje nuk do të gabonte për t’i dhuruar Spanjës epërsinë.
Austriakët u munduan të reagonin, por nuk finalizuan si duhet disa kundërsulme të shpejta. Përpara pushimit, spanjollët iu afruan dyfishimit. Pa fat Baena, me traversën që iu mohoi golin, ndërsa në vijimin e aksionit portieri Shlager bëri një ndërhyrje shpëtimtare ndaj Lamin Jamal. Kaq për pjesën e parë, ndërsa pas pushimit spanjollët vijuan me lojën e ture fotokopjo, por pa rrezikun e duhur.
Austria dha shenja jete me Kalajxhiç të hedhur në fushë si zëvendësues, por shumë shpejt do të merrte goditjen e “Nok Aut”. Në minutën e 66-të, Pedro Porro shënoi golin e dytë dhe të qetësisë për “Furitë e Kuqe”.
Në minutat e mbetura austriakët nuk arritën të venë në dyshim suksesin e spanjollëve që vulosën fatin e sfidës në minutën e 89-të. Goli i dytë personal për Ojrazabal dhe i treti për kampionët e Europës që vazhdojnë rrugën në 1/8 e Botërorit dhe e bëjnë këtë si favoritë. /abcnews.al



