Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur edhe njëherë Greqisë për çështjen Beleri.
Në një intervistë për kanalin shtetëror grek ERT News, Rama sqaron se në Shqipëri ligji funksionon njëlloj për të gjithë dhe vendimi për Belerin i takon gjykatës.
“Zotëria është një qytetar i Republikës së Shqipërisë, që duhet të jetë i barabartë përpara ligjit si çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë, por njëkohësisht duhet të përgjigjet përpara ligjit si çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë dhe nuk mund të ketë dy drejtësi, një drejtësi për qytetarët shqiptarë me kombësi shqiptare dhe një tjetër për qytetarët shqiptarë me kombësi greke”.
Kryeministri thotë se ligji në Shqipëri imponon shkarkimin e e Belerit pas 5 javësh mosbesimi.
“Në ndërkohë që siç e kam thënë, ne jemi duke studiuar rastin, pasi kur përfundon afati i 90 ditëve, normalisht sipas çfarë thuhet në ligj, qeveria duhet ta shkarkojë kryetarin e zgjedhur që nuk është paraqitur për të bërë betimin dhe duhet të caktojë një kujdestar deri në zgjedhje të reja. Mirëpo ky është një rast shumë specifik dhe për këtë arsye unë i kam kërkuar departamentit ligjor këtu në Kryeministri që të japë opinionin se çfarë duhet të bëjmë ne dhe do të zbatojmë përsëri atë që është më e drejta. Unë do të isha i lehtësuar nëse ne do të mundeshim që t’i linim procesit gjyqësor mundësinë të përfundonte dhe në fund të procesit të dinim nga drejtësia, jo nga Greqia nëse ky njeri është i fajshëm apo është i pafajshëm.”
Kërcënimet për pengim të rrugës së mëtejshme te integrimit të plotë të Shqipërisë dhe anëtarësimit të saj të plotë në BE, Rama i sheh si jo europiane.
“Greqia apo Athina mendon se topi është në këtë zyrë për këtë çështje, duke lënë të nënkuptohet që nëse topi nuk shkon në atë drejtim ku e do Athina, Athina do të hakmerret me Shqipërinë, duke penguar procesin e anëtarësimit në BE, – kjo është jo evropiane dhe kjo është shumë antike sipas meje.”
Rama thotë se në shqipëri nuk ka një përplasje mes shqiptarësh dhe grekësh dhe se ka një bashkëjetesë krejt të arsyeshme dhe krejt normale. Ndërsa ka deklaruar se greqia duhet të heqë ligjin e luftës.
“Ka 80 vite që ka mbaruar Lufta e Dytë Botërore dhe akoma sot Greqia ka në fuqi ligjin e luftës, gjë që është një arkaizëm i madh dhe gjë për të cilën ne jemi shumë të interesuar që ta shohim të largohet një herë e përgjithmonë nga rruga jonë e përbashkët.”
Kreu i qeverisë shqiptare thotë se për të gjitha problemet, që nga heqja e ligjit të luftës nga greqia e deri te kufiri detar do të vijojë të mbetet i angazhuar plotësisht. Të njëjtin angazhim Rama thotë se do të mbajë edhe për premtimin e dhënë ndaj kryeministrit grek mitsotakis për ngritjen e bustit të babait të tij në Dervician.
“Vendosja e bustit të kryeministrit Mitsotakis në Derviçan, çka e kam premtuar atëherë dhe nuk kam ndërmend të tërhiqem nga ai premtim pse ka sot një keqkuptim, të jetë një tjetër arsye për t’u kuptuar mirë me njëri-tjetrin, që në Tiranë, në këtë zyrë, Greqia ka një mik, një mik të vërtetë, një mik të sinqertë.”/abcnews.al