Policia bregdetare greke ka sekuestruar më shumë se një ton drogë, në afërsi të ishullit Alonisos, në detin Egje. Droga, e paketuar në 103 kuti të mëdha, ishte fshehur në një shpellë, në një ujdhesë shkëmbore dhe për gjetjen e saj u përdorën qentë e zbulimit si dhe polumbarë.
Operacioni filloi një ditë pasi u ndalua një skaf në ishullin Agistri, dhe u arrestua drejtuesi i tij, një shtetas shqiptar. Ky ishte një nga dy skafet që autoritetet greke po kërkonin që prej disa ditësh dhe dyshohet se kishte transportuar drogë nga Shqipëria për në Turqi.
Një tjetër skaf, që gjithashtu dyshohej se kishte çuar drogë nga Shqipëria në Turqi u ndalua pas një përndjekjeje kinematografike të mërkurën dhe u arrestuan tre personat që ndodheshin në bord, dy shtetas shqiptarë dhe një italian.
Për operacionin e sotëm priten njoftime të detajuara nga policia bregdetare greke./ABC News Albania 24/7