Gazment Demi ka stilin e tij të të bërit të gjërave. Nuk i pëlqen të ekspozohet shumë në media, ndërkohë që përgjigjet si zakonisht i ka të shkurtra. Kështu bëri edhe sot para mediave, pas takimit të bërë në FSHF në lidhje me procesin e Licencimit.
Demi nuk shihet i mërzitur për nisjen e kampionatit dhe mendimin tij e argumenton me diferencën që të kuqtë kanë me rivalët. “Partizanin e shohim të dielën nëse është mirë apo keq. E diela vjen shpejt, e presim dhe shpresoj të na eci goli. Nuk jam i zhgënjyer me nisjen e kampionatit. Pse të jem? Tre pikë prapa dy ekipeve jemi”, është shprehur presidenti i Partizanit.
Numri një i klubit të kuq nuk vendos ultimatum për triumfin në derbi: “Nuk ka patjetër, është vetëm fillimi. Kemi kohë. Partizani tregon që nuk e ul kokën. Eksperiencën e ka dhe do të shikohet çdo gjë të dielën. Shpresojmë të jetë një ndeshje e bukur”.
I ngacmuar nëse është Tirana më e fortë që Partizani i tij do të përballet, Demi sërish nuk e mban topin në fushën e tij. “S’e mbaj mend. Nuk jam teknik të them është më e fortë apo më dobët”. Mes të tjerash ai foli edhe për kompleksin: “Punimet po ecin, por jo aq sa e prisnim. Shpresoj në fazën e tretë të jetë gati”. /abcnews.al