Milan nuk arriti qoftë edhe një rezultat pozitiv në turin e miqësoreve të zhvilluar në SHBA, teksa pas humbjes ndaj Real Madrid e Juventus u mund mëngjesin e kësaj të mërkure, nga “katalanasit” e Barcelona, me rezultatin minimal 0 me 1, pas golit të anësorit spanjoll, Ansu Fati.
Mirëpo, sipas teknikut të “kuqezinjve” Stefano Pioli, skuadra ka zhvilluar paraqitje pozitive, nga e cila lojtarët kanë mësuar shumë. Më tej tekniku italian shtoi gjithashtu se lojtarët e rinj po përshtaten mjaft mirë dhe pritet të jenë gati për fillimin e kampionatit.
“Ky tur që zhvilluam ishte vërtet pozitiv, sepse ne punuam mirë dhe u përballëm me tre skuadra të nivelit të lartë. Ka ende shumë gjëra për të cilat ne duhet të punojmë ende, sepse kanë ngelur dhe tre javë nga fillimi i kampionatit, por çfarë kam parë çdo gjë është pozitive. Lojtarët e rinj po përshtaten mirë.
Kemi qenë të rrezikshëm, por nuk kemi shfrytëzuar avantazhin e mundësive. Ne vuajtëm të largonim topin nga lojtarët e Barcelona. Duhet të humbasim më pak topa, sepse duhet t’i menaxhojmë më mirë.
Duhet shërbyer më shumë Leao? Sigurisht që po, është një objektiv që ta dërgojmë Rafan para sa më shumë të jetë e mundur, por nuk mund të kemi vetëm atë si një pikë reference.
Stadiumi? Stadiumi këtu në Las Vegas ishte shumë i bukur, edhe në Los Anxhelos, “SoFi Staidum” ishte shumë i madh. në Itali jemi shumë pas me strukturat dhe duhet shumë kohë që të ecim përpara”,- u shpreh tekniku italian. /i.m /abcnews.al