TIRANË– Kryetari i Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa, thotë se të dhënat e deritanishme flasim se numri turistëve përgjatë këtij viti mund të arrijë në 9 milionë. Kjo shifër theksoi ai është tregues i qartë se oferta e Shqipërisë ka një shtrirje të madhe jo vetëm në Evropë, por ka shkuar deri në kontinentin e Azisë.
Ai u shpreh se linjat e fluturimeve “charter” kanë dhënë impakt të drejtpërdrejtë të rritjes së numrit të turistëve, të cilët zgjedhin bregdetin tonë për të shijuar pushimet verore.
“Besoj se po, përderisa në vitin e kaluar kishim 7,5 milionë turistë dhe kemi një trend në rritje dhe do kemi më shumë se në 2022. Në fund do të shohim sa do jetë kjo rritje. Kemi turistë nga vendet nordike, baltike, kemi pothuajse nga pjesa më e madhe e vendeve të Evropës. Vitin e kaluar nuk kishim charter dhe këtë vit kemi fluturime charter dhe kjo ka bërë rritje të turizmit. Kemi rritje të numrit të polakëve, të cilët kanë shtuar fluturimet. Për herë të parë ka pasur nga Sllovakia dhe nga Hungaria”, theksoi ai.
Sipas tij, Shqipëria ende nuk i ka kushtet për të ofruar turizëm elitar, por të gjitha ata që vijnë dhe shpenzojnë para në vend janë të mirëpritur. Ai theksoi se “jehona” në mediat ndërkombëtare për bukuritë e saj natyrore shqiptare është një bonus shumë i madh dhe ndikon në përmirësimin e imazhit.
“Nuk jemi në kushte që të ofrojmë shërbime elitare, për ne janë të mirëpritur të gjitha ata që vijnë dhe shpenzojnë para në Shqipëri. Ne jemi si ofertë pak më lirë se vendet e rajonit, pjesa e jehonës që i bëhet Shqipërisë në mediat është shumë e rëndësishme, por edhe aktiviteteve që bën në Shqipëri influencerat”,u shpreh ai.
Ndër të tjera, Kasa duke iu referuar shifrave të turistëve, u shpreh se Shqipëria tashmë është bërë vend konkurruese në rajon duke lënë pas disa vende. Gjatë intervistës në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, Kasa pohoi se këtë vit ka një shtim të turistëve nga Azia dhe janë një kategori personash, të cilët shpenzojnë shumë para.
“Tashmë jemi bërë konkurruese, sepse nëse flasim tek një numër, që variant deri në 9 milionë turistë është domethënëse. Vendet e tjera , përjashto Greqinë, kanë një numër më të vogël dhe ne nuk mund të krahasohemi me Greqinë, por në krahasim me vendet e tjera përreth patjetër që jemi konkurrentë dhe jemi shumë më të fuqishëm madje. Turistë që vijnë nga Azia janë turistë që shpenzojnë para. Kanë shfrytëzuar linjat direkte dhe këta turistë janë të shumëpritur. Këto janë turistë, të cilat mund të sjellin para”, tha ai.
I pyetur sa mund të jetë kontributi i turizmit në ekonominë vendase, Kasa bëri këtë koment: Besoj se do kemi mbi 3.5 miliardë euro do jenë në fund të vitit. Kemi akoma disa kërkesa, të cilat janë në blloqet tona, që janë të parealizuar, Kemi nevojë për trajnime dhe kemi një mungesë të madhe të burimeve njerëzore dhe shtimin e kapaciteteve akomoduese.”, theksoi ai./ n.m.abcnews.al