“Nga bregdeti në akset kryesore kombëtare, strukturat e Policisë së Shtetit do të jenë në gatishmëri gjatë gjithë sezonit veror për të siguruar rendin dhe për të parandaluar incidentet”.
Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike në DPPSH, Dhimitraq Ziu, thotë për ABC News se në terren do të jenë të paktën 1600 efektivë shtesë nga disa struktura.
“Policia e Shtetit ka ndërmarrë një plan masash për mbarëvajtjen e sezonit turistik, ku 1600 efektivë do të jenë në terren. Këta policë janë marrë nga Forcat e Shqiponjave, Policia Rrugore, Forcat Operacionale dhe të Sigurisë Kombëtare.” tha ai.
Në disa nga zonat që mund të konsiderohen më problematike do të ketë prani të shtuar të efektivëve, por edhe stacione provizore policie.
“Zonat që ne i cilësojmë me njollë të zezë dhe problematike janë aksi në drejtim të Lezhës dhe plazheve të Shëngjinit dhe Tales, rruga në drejtim të Vlorës dhe plazhet e Himarës dhe Sarandës, rruga Durrës-Golem dhe Lushnjë-Fier. Përveç pranisë së shtuar të efektivëve të policisë, do të ngrihen edhe disa stacione provizore të policisë në Valbonë, Theth, Koman, Tale, Gjirin e Lalzit dhe Ksamil. Këtu i referohemi edhe turizmit malor, jo vetëm atij bregdetar.” u shpreh Ziu.
Për të garantuar një sezon turistik të sigurt dhe pa probleme për pushuesit, policia shqiptare do të bashkëpunojë edhe me strukturat homologe në vendet fqinje.
“Bashkëpunimi policor ndërkombëtar për verën do të jetë me Kosovën, Malin e Zi, Italinë dhe Maqedoninë e Veriut. Punonjës të Policisë së Shtetit dërgohen për shërbime të përbashkëta patrullimi, ndërsa edhe nga këto shtete ka njësi policore që vijnë në vendin tonë.” tha ai.
Gjatë gjithë sezonit turistik, radarët dhe mjetet e teknologjisë së fundit do të jenë në rrugë për të monitoruar lëvizjen dhe trafikun e mjeteve, për të parandaluar shkeljet e Kodit Rrugor që bëhen shkak për aksidente./abcnews.al



