Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nensi Pelozi pritet të njoftojë së shpejti inkriminimin zyrtar të presidentit Donald Trump. Lajmin e bën të ditur gazeta “Uashington Post”, sipas të cilës inkriminimi i kreut të shtetit, që do të shoqërohet me një proces hetimor, ka të bëjë me kërkesën që ai i kishte bërë autoriteteve ukrainase për të dëmtuar figurën e Xho Bajden, që ka gjasa të jetë sfidanti i tij në zgjedhjet e 2020-s. E pyetur gjatë një eventi, Pelozi ka refuzuar të thotë se çfarë aksioni do të ndërmarrë, por ka theksuar se është absolutisht jetike që presidenti të mbahet përgjegjës. “Askush nuk është mbi ligjin”, ka deklaruar Pelozi. Më herët në Uashington, Pelozi u takua me ligjvënësit demokratë për inkriminimin e presidentit, i cili që prej marrjes së detyrës në janar të vitit 2017 është përfshirë në një seri skandalesh. Vetë Trump gjatë së martës konfirmoi se kishte urdhëruar administratën e tij të mos lëvronte një ndihmë prej 390 milionë dollarësh për Ukrainën dhe bëri të ditur se të mërkurën do të publikojë bisedën e transkriptuar me presidentin e ri ukrainas, në lidhje me figurën e Bajden. /ABC News Albania 24/7
SHBA/Trump drejt inkriminimit, demokratët nisin procedurat
schedule23:30 - 24 Shtator, 2019
schedule 23:30 - 24 Shtator, 2019