SHBA të korruptuarve: Ndryshimi që po sjellim është një lajm i keq për ju

schedule15:30 - 24 Shtator, 2019

schedule 15:30 - 24 Shtator, 2019

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës paralajmëron se shumë shpejt aktivitetet korruptive të zyrtarëve do të ndalen. Kjo do të ndodhë nëpërmjet disa ndryshimeve, thotë zëvendës shefi i misionit në detyrë pranë kësaj ambasade, pa zbuluar detaje se për çfarë bëhet fjalë konkretisht.

Ditë të zeza do të vijnë për zyrtarët e koruptuar. Mesazhin ua dërgon ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nëpërmjet zëvendës shefit të misionit në detyrë Dan Koski.

“…jo të gjithë ndajnë qëllimet tona për të përmirësuar zbatimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë në Shqipëri. Për zyrtarët e korruptuar, ndryshimi që ne po sjellim është një lajm i keq. Është si rëra në ingranazhe, e cila shumë shpejt do bëjë që aktivitetet e tyre korruptive të ndalen. Ne e dimë se ata do të luftojnë dhe do të përpiqen në çdo moment të bllokojnë përpjekjet tuaja për të çuar përpara këto qëllime të rëndësishme. Mos u stepni. Mos u shkurajoni. Vazhdoni të qëndroni në këmbë dhe të luftoni për reformat që do të forcojnë shoqërinë shqiptare për ju dhe brezat e ardhshëm. Ju besoni që në horizont është një e ardhme më e ndritur për Shqipërinë. Të njëjtën gjë mendojmë edhe ne, dhe do ta vijojmë këtë rrugëtim së bashku me ju.”

Nga pas i shkon edhe numri dy i qeverisë Erjon Braçe i cili gjatë aktivitetit mbi Projektin për Planifikimin dhe Qeverinë Vendore të USAID/Albania shpreh bindjen se çdo reformë pa Drejtësinë e pavarur, të barabartë, funksionale është e cungët, vë në rrezik rezultatet e saj.

“Presionet, sulmet e politikanëve të përjetshëm e me pushtet po të tillë, të paprekshëm, biznesmenëve me ta, të fuqizuar prej tyre, bërë edhe këta të paprekshëm, kriminelëve të rëndësishëm për shkak të organizatave të tyre e për shkak të fuqisë ekonomike, lidhjeve me politikën, nuk duhet të ndryshojnë reformën, nuk duhet të ndalin vetingun, nuk duhet të pengojnë ndërtimin e institucioneve të drejtësisë së re, profesionale, të pavarura, të pastra, si një garanci për qytetarët, organizatat politike, organizatat e biznesit, si garanci që institucionet do udhëhiqen veç nga ligji, nderi e dinjiteti”.

Të gjitha këto duhet të përmbushen konkretisht dhe me shembuj të qartë nga politika e pistë, biznesi klientelist e krimi i organizuar, thotë Erion Braçe, sipas të cilit pritshmëritë e shqiptarëve të zakonshëm të dhunuar prej tyre kërkojnë drejtësi të barabartë për të pushtetshmit./ABC News Albania 24/7