Dy Jet Ski dhe 5 varka janë bllokuar nga policia e SHkodrës pasi rezulton se nuk kishin dokumentacionin e duhur dhe nuk plotësonin kushtet për transporin e turistëve në det.
Sipas policisë mësohet se kontrolle janë ushtruar në Velipojë dhe në liqenin e Shkodrës në kuadër të rritjes së masave të sigurisë që duhet të marrin drejtuesit e mjeteve lundruese që tranportojnë turistë dhe vizitorë.
Gjatë operacionit, në plazhin e Velipojës, u konstatuan dhe u prishën 4 korridore për daljen e mjeteve lundruese në det, që ishin krijuar në mënyrë të kundërligjshme dhe përbenin rrezik për jetën e pushuesve në plazh.
Po në plazhin e Velipojës, u bllokuan 2 mjete lundruese Jet Ski, për mungesë dokumentacioni në bord. Drejtuesit e tyre u ndëshkuan secili me masën administrative 10 000 lekë të rinj.
Gjithashtu, gjatë kontrollit në liqenin e Shkodrës, u bllokuan 5 varka artizanale që nuk plotësonin kushtet e sigurisë për transportimin e turistëve.
Shërbimet e Policisë vijojnë monitorimin e vijës bregetare, liqenore dhe lumore, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë për qytetarët, turistët dhe vizitorët. Në këtë kuadër, Policia e Shtetit apelon për të gjithë operatorët ekonomikë dhe drejtuesit e mjeteve lundruese që ushtrojnë aktivitet gjatë sezonit turistik, që të pajisen me dokumentacionin e nevojshëm dhe të zbatojnë rregullat e përcaktura për përdorimin e mjeteve lundruese./abcnews.al