Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, tha të dielën se e ardhmja e Ukrainës është në NATO dhe se kjo nuk është një çështje “e negociueshme”. Kjo deklaratë erdhi gjatë një interviste televizive pas pyetjeve mbi samitin e NATO-s më 11-12 Korrik dhe anëtarësimin e Ukrainës.
“Ne thamë në komunikatë se e ardhmja e Ukrainës është në NATO, pikë. Nuk ka negociata me askënd. Kjo do të ndodhë,” tha këshilltari i sigurisë kombëtare. Ai theksoi se mbështetja e SHBA për Ukrainën kundër Rusisë do të vazhdojë dhe beson se populli amerikan do të vazhdojë ta mbështesë këtë qëndrim.
Ndërsa pranoi se anëtarësimi aktualisht nuk është i mundur, Sullivan shpjegoi: “Para së gjithash, anëtarësimi i Ukrainës në NATO ndërkohë që lufta është në vazhdim do të nënkuptonte përfshirjen e NATO-s në një luftë me Rusinë. Kjo do të nënkuptonte gjithashtu përfshirjen e SHBA në një luftë me Rusinë. As NATO as SHBA-ja nuk është gati për këtë”.
Ai tha se çdo vend kandidat për anëtarësim në NATO duhet të ndërmarrë disa reforma demokratike, duke pranuar se Ukraina ka bërë përparim të rëndësishëm, por duke theksuar se reforma të mëtejshme janë të nevojshme./abcnews.al