Irani, plan për paqe në Lindjen e Mesme

schedule14:56 - 22 Shtator, 2019

schedule 14:56 - 22 Shtator, 2019

Presidenti i Iranit, Hasan Rouhani ka deklaruar se do të prezantojë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së një plan për paqen në Lindjen e Mesme. Rouhani ka nënvizuar se pjesë e planit do të jenë vetëm vendet e rajonit, pasi ndërhyrjet e huaja vetëm sa do të përkeqësonin situatën.

Presidenti iranian Hasan Rouhani do të prezantojë javën e ardhshme në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së një plan për vendosjen e paqes në Lindjen e Mesme. Përmes një deklarate për shtyp, Rouhani ka shprehur bindjen e tij se plani në fjalë do të vendosë sigurinë dhe do të shmangë konfliktet mes vendeve të Gjirit Persik.

“Këtë vit ne do t’i prezantojmë botës një plan të hartuar nga Republika Islamike e Iranit dhe vendet fqinje, që do të krijojë siguri në Gjirin Persik dhe atë të Omanit, vetëm me pjesëmarrjen e vendeve të rajonit”, ka deklaruar Rouhani.

Presidenti iranian nuk ka dhënë detaje të tjera, por ka shtuar se prania në rajon e forcave të huaja vetëm sa do të krijonte pasiguri për prodhimin e naftës dhe tregtinë në rrugë detare.

Lajmi për planin vjen në një kohë kur Arabia Saudite dhe Shtetet e Bashkuara akuzojnë Iranin se ka sulmuar impiantet saudite të naftës më 14 shtator, që ishte dhe sulmi më i madh i kryer deri më sot ndaj eksportuesit kryesor të arit të zi në botë.

Nga ana e tij, Irani e mohon përfshirjen në sulm, që u mor përsipër nga rebelët Huthi, një grup aleat me Iranin dhe që lufton kundër aleancës së udhëhequr nga sauditët në luftën e Jemenit. Ditën e premte, presidenti Donald Trump aprovoi dërgimin e trupave amerikane në Arabinë Saudite për të përforcuar sistemet ajrore të mbrojtjes./ABC News Albania 24/7