320 lëkundje të tjera që pas tërmetit të së shtunës

schedule13:14 - 22 Shtator, 2019

schedule 13:14 - 22 Shtator, 2019

320 lëkundje sizmike janë shënuar që prej tërmetit të orës 16:04 të së shtunës e deri të dielën në orën 10:45, lëkundje që do të vijojnë. Lajmin e bëri të ditur për ABC Neës specialisti i Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, sizmologu Rexhep Koçi.

“Të dhënat që kemi deri më tani në regjistrimin e të gjitha pasgoditjeve ka treguar që numri i ngjarjeve është shumë i lartë, por fuqia e tyre ka ardhur duke u reduktuar. Ajo që mund të themi është që nga ngjarja kryesore e regjistruar në orën 16:04 e deri më tani janë regjistruar 320 ngjarje. 2 ngjarje kanë qenë me magnitudë 5 e sipër, ajo kryesorja dhe një tjetër pas 12 minutash me magnitudë 5.3. Pastaj me magnitudë 5 deri në 4.2 kanë qenë rreth 3 ngjarje. Nga 4.2 deri në 3 janë 18 ngjarje. Të gjitha ngjarjet e tjera që i bie rreth 300 ngjarje janë nën magnitudë 3”.

Këto pasgoditje të tërmetit janë normale sipas sizmologëve, ku vënë theksin se rreziku tashmë ka kaluar.

“Rreziku kryesor është fashitur. Ajo që do i rekomandonim njerëzve, por edhe më shumë, instancave është që të gjitha banesat që manifestojnë një shkallë të lartë të dëmtimit nuk duhet të vizitohen nga banorët dhe të tjerët se janë të rrezikuara që të bien edhe nga një lëkundje shumë e vogël”.

Por a është vetëm zona e Durrësit një nga pikat më të nxehta të tërmeteve? Sizmologu Koçi shprehet se e gjithë zona perëndimore e vendit karakterizohet si zonë me lëvizje sizmike dhe lëkundjet do pushojnë pas rreth 30 ditësh.

Të gjitha ngjarjet që po flasim, mbase nuk janë lokalizuar të gjitha se është e pamundur që 320 ngjarje të lokalizohen për 15 orë, por ato që lokalizohen janë përqendruar nga Durrësi deri në Kepin e Rodonit. Kjo është zona më e nxehtë për sa i përket aktivitetit sizmik. I gjithë territori shqiptar është i shquar për një aktivitet sizmik të lartë pjesa e kufirit perëndimor të territorit tonë është një brez që ne e quajmë brez sizmogjenik të fuqishëm”.

Sipas specialistëve të Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit banorët të cilët kanë pësuar dëmtime në banesa duhet të jenë sa më vigjilentë, pasi lëkundje të lehta të tokës do të ndihen edhe në ditët në vijim./ABC News Albania 24/7