Pedagogu Emiljo Çika ka deklaruar se në procesin e integrimit europian të Shqipërisë nuk ka kapituj të lehtë dhe të vështirë, ndërsa theksoi se përmbushja e tyre kërkon kohë, financime dhe ndryshime të brendshme.
Sipas Çikës, mbyllja e kapitullit 20 është e rëndësishme për ekonominë shqiptare, por vendi ka përpara edhe kapituj të tjerë që kërkojnë më shumë përpjekje, si në përmbushjen e së drejtës europiane, ashtu edhe në ristrukturimin e administratës dhe të shtetit.
Ai nënvizoi se për kapitujt më të vështirë, si ai për mjedisin dhe ndryshimet klimatike, do të nevojiten ndryshime të brendshme dhe më shumë financime.
Në këtë kontekst, ai theksoi rëndësinë e Planit të Rritjes, duke e cilësuar atë si një burim financimi që shkon në mbështetje të ekonomisë shqiptare.
“Nuk ka kapituj të lehtë dhe të vështirë. Përmbyllet vlerësimi dhe përshtatja me të drejtën europiane. Ka kapituj të tjerë shumë më të vështirë, si në përmbushjen e të drejtës europiane, por edhe ata që kërkojnë ristrukturim të administratës dhe shtetit.
Mbyllja e kapitullit 20 është e rëndësishme për ekonominë. Janë më të vështirë dhe do të duhet më shumë kohë, më shumë financime. Deri tani, shteti nuk ka hedhur kapitale parash për të realizuar kapituj të caktuar. Për të shkuar në kapituj më të vështirë në kohë, si p.sh. kapitulli për mjedisin dhe ndryshimet klimatike, do të kemi nevojë për ndryshime të brendshme. Plani i Rritjes janë para që shkojnë për ekonominë shqiptare.”


