Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në kuadër të Kabintetit për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Përparim Gruda e ka quajti sot ndërhyrje politike nga ana e qeverisë shkarkimin e shefit të Njësisë së Veçantë të Hetimeve, Shemsi Hazirit.
Përmes një konference për media Gruda tha se njësia, nga ku është shkarkuar Haziri ka qenë duke e hetuar ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berisha në lidhje me aferën e tij korruptive dhe ish-kryeshefin e Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi.
Sipas tij, shkarkimi i shefit të Njësisë së Veçantë të Hetimeve është një përpjekje politike nga qeveria për të mbuluar, siç tha ai, skandalin e Martin Berishajt “dhe për skandalin korruptiv të Nagip Krasniqit”.
Ai shtoii se ku nuk është rasti i parë kur qeveria me ndërhyrje politike provon të mbyllë rastin e Martin Berishajt. Gruda shtoi se para dy muajsh është shkarkuar drejtori i krimeve ekonomike dhe për këto shkarkime, ai tha se tregojnë qartazi se qeveria do t’i marrë në mbrojtje njerëzit e korruptuar.
Gruda shtoi se para së gjithash, ky rast dëshmon edhe se premtimet për luftë kundër korrupsionit dhe reformim të drejtësisë kanë qenë një mashtrim për hesapet elektorale të partisë në pushtet dhe kurrë një qëllim i vërtetë.
Ai i bëri thirrje prokurorisë që ta marrë rastin në duar e t’i shkojë deri në fund procesit.
Ndërsa, për deklaratën e ministres së Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, Donika Gërvalla në Forumin e Dubrovnikut, Gruda tha se nëse ministrja bën gafa diplomatie kjo më nuk është lajm./KosovaPress