Mbrojtësi i Interit, Diego Godin, i konsideron zikaltërit të ngjashëm me ish-klubin e tij Atletiko Madrid. Për uruguajanin, sfida ndaj Milanit është speciale dhe nuk duhet humbur.
Tashmë Inter edhe për çështje kohe, por edhe për strategji kërkon të harrojë sa më shpejt sfidën me Slavian në “San Siron”, pasi në fundjavë kalendari rezervon derbin me fqinjët kuqezinj, një sfidë tradite, dhe ku Inter kohët e fundit ka qenë më predominues.
Për mbrojtësin Godin nuk ka dyshime, zikaltërit i kujtojnë ish-skaudrën e tij që për periudhën për të cilën flet, Los Colchoneros fituan titullin kampion në La Liga. Inter sipas mbrojtësit ngjason në shumë aspekte me klubin spanjoll, për shpirtin e garës, dëshirës për të qenë të bashkuar, për të punuar dhe për të bërë sa më mirë.
“Inter dhe Atletico kanë shumë të përbashkëta. Mënyra sesi i përjetojnë ndeshjet. Të gjithë lojtarët në fushën e blertë japin maksimumin e tyre. Të pasurit një trajner që beson në forcën e ideve, për një lojtar është shumë e rëndësishme. Duhet të bëjmë njësoj siç bëri Atletico, t’i marrim ndeshjet një e nga një. Derbin e kam ndjekur nga televizori disa herë. Personalisht e di mirë sesi luhet një sfidë e tillë. E rëndësishme është që të mos zhgënjejmë tifozët. Një skuadër ka nevojë për ta, për shtysën që të japin. Përtej projekteve që kanë drejtuesit e klubit, tifozët janë shumë të rëndësishëm. Ndaj kundër Milanit duhet të japim maksimumin për të mos i zhgënjyer”.
Hapi i radhës do të jetë derbi i Madoninës, një nga sfidat më të rëndësishme të sezonit. Godin shprehet se kundër Milanit, zikaltërit nuk duhet të zhgënjejnë tifozët./ABC News Albania 24/7