TIRANË– Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka përcjellë një mesazh urimi për nxënësit, mësuesit dhe prindërit, në nisje të vitit të ri shkollor.
Ai siguroi nxënësit se efektivët e policisë janë të përkushtuar për të mbrojtur sigurinë e tyre.
“Të dashur nxënës, të nderuar mësues dhe prindër. Çdo fillim viti shkollor sjell një energji të veçantë .Oborret e shkollave mbushen sërish me fëmijë e të rinj, me emocionet e takimeve, me pritshmëri dhe me ëndrra të reja, ndërsa për prindërit interesimi për sigurinë dhe rezultatet në mësime.
Sot, për nxënësit nis një tjetër rrugëtim drejt dijes, ndërsa për ne, Policinë e Shtetit, nis një përgjegjësi edhe më e madhe: të kujdesemi që ky rrugëtim të jetë i sigurt, sepse për sigurinë tuaj nuk bëjmë kompromis dhe nuk pushojmë. Nëse diçka ju shqetëson, flisni, sepse zëri juaj ka shumë rëndësi për ne. Na priftë e mbara dhe paçi një vit shkollor të suksesshëm e të sigurt”, thuhet në mesazhin e kreut të Policisë.

