Kryeministri Rama ju ka kërkuar sot publikisht 7 drejtuesve të opozitës jo parlamentare: Lulzim Basha, Monika Kryemadhi, Nard Ndoka, Vangjel Dule, Agron Duka, Dashamir Shehi dhe Fatmir Mediu, takim për të kryer reformën zgjedhore.
Kryeministri Rama kërkon një tryezë dialogu gjithëpërfshirëse për reformën zgjedhore. Me një ftesë publike, kreu i mazhorancës ju kërkoi takim 7 kryetarëve të partive jo parlamentare, Lulzim Basha, Monika Kryemadhi, Nard Ndoka, Vangjel Dule, Agron Duka, Dashamir Shehi dhe Fatmir Mediu.
“Ju drejtohem publikisht në përpjekjen për të krijuar një hapësirë dialogu e ndërveprimi mes nesh, lidhur me një sfidë të përbashkët të një rëndësie kombëtare, Reformën Zgjedhore”.
Në pamundësi për të zgjedhur kundërshtarin, Rama shtrin dorën e bashkëpunimit.
“Përtej skajshmërisë së dallimeve tona, ne as nuk e kemi zgjedhur njëri-tjetrin dhe as nuk e zhbëjmë dot ekzistencën e njëri-tjetrit. Pra jemi të dënuar të bashkëjetojmë pavarësisht jopëlqyeshmërisë reciproke, për sa kohë të tjerët, zgjedhësit, na kanë dhënë mandate përfaqësimi, disave për të qeverisur e disave për të bërë opozitë”.
Pavarësisht se kanë djegur mandatet, Rama ju njeh peshën e votës popullore partive tashmë jashtë parlamentare.
“Ju vendosët t’i digjni mandatet e hyrjes në Kuvend dhe të vetëpërjashtoheni nga jeta parlamentare e kësaj legjislature. Por gjithsesi, deri në zgjedhjet e qershorit 2021, ju jeni të votuar për të përfaqësuar një pjesë jo të vogël të zgjedhësve shqiptarë. Prandaj e dhe Kuvendi ka rezervuar një vend të posaçëm për ju, në Komisionin e Reformës Zgjedhore”.
I vetëdijshëm se marrëveshja për zgjidhjen e krizës politike do të miratohet në parlament, kryeministri i fton opozitarët në dialog, por pa kushte.
“Procesi ka nisur në Kuvend me opozitën parlamentare dhe do të mbyllet në Kuvend natyrisht, por mungesa juaj ne institucionin më të lartë vendimmarrës të republikës, nuk ju përjashton vetvetiu nga hapësira e diskutimit për Reformën Zgjedhore. Përkundrazi. Të paktën ky është opinioni im dhe duke vënë re edhe mungesën tuaj në vetë tryezën e Komisionit Zgjedhor, ju ftoj të takohemi e të bashkëbisedojmë për këtë sfidë të përbashkët, në çdo kohë e vend që do t’ju vinte për shtat – sigurisht në rast se ju jeni të interesuar të përfshiheni në këtë proces. Pa kushte”.
Disa herë përpara zgjedhjeve, Edi Rma ju shkruajti disa letra publike Lulzim Bashës, duke i kërkuar dialog përpara 30 qershorit, por që u refuzuan nga Basha, i cili nuk pranonte bisedime me Ramën kryeministër./ABC News Albania 24/7


