Rifillimi i dialogut me Serbinë, mediat parashikojnë skenarët e mundshëm

schedule11:20 - 18 Shtator, 2019

schedule 11:20 - 18 Shtator, 2019

Në pritje të rifillimit të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, mediat në Kosovë parashikojnë skenarët e mundshëm dhe përfshirjen e vendeve si Gjermania, Franca, ShBA apo Rusia në këtë dialog.

Përfshirja e drejtpërdrejtë e Gjermanisë, e Francës dhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut mund të fusë a sjellë edhe Rusinë në lojë. Kështu pohojnë njohës të rrethanave politike në Kosovë, të cilët kanë përmendur disa skenarë të rrezikshëm për Kosovën, që mund të sjellë përfshirja e Rusisë në negociata, ndër ta privilegjimi i serbëve, zbehja e interesave të Kosovës, që do të dalin prej marrëveshjes përfundimtare dhe destabilizimi i Ballkanit nga ndikimi rus

Përfundimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë mund të mos përmbyllet në formatin se nisi 8 vjet më parë. Përveç Brukselit zyrtar, së fundmi përfshirje në procesin e dialogut po kërkojnë edhe disa shtete tjera të Bashkimit Evropian, si Gjermania dhe Franca.

Emërimi i Metju Palmer si përfaqësues i posaçëm për Ballkanin Perëndimor nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shihet si përpjekje tjetër për përfshirje gati direkte të Amerikës në procesin e dialogut, gjë e cila do të nxiste një tjetër lëvizje jo fort pozitive për Kosovën, shkruan më tej e përditshmja “Zëri”.

Me përfshirjen e këtyre shteteve në procesin e dialogut nuk përjashtohen ambiciet e Rusisë për pjesëmarrje në dialog. Madje në Serbi një gjë e tillë po konsiderohet punë e kryer. /ABC News Albania 24/7