Komente fyese për emigrantët e mbytur/ Deputeti grek përjashtohet nga partia e Mitsotakis

schedule13:36 - 17 Qershor, 2023

schedule 13:36 - 17 Qershor, 2023

Një deputet i krahut të djathtë në Greqi është përjashtuar nga partia e ish-kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, që po kërkon mandatin e dytë në zgjedhjet e javës së ardhshme, për shkak të komenteve raciste të bëra pas fundosjes së një anijeje me emigrantë.

Rojet bregdetare greke po vazhdojnë kërkimet për të mbijetuarit nga fundosja e anijes që bartte emigrantë. Nga fundosja e anijes të martën mbrëma kanë vdekur të paktën 78 persona.

Shpresat për të gjetur të mbijetuar të tjerë po zbehen “çdo minutë”, thanë zyrtarët.

Përderisa dënoi humbjen “tragjike” të jetës, përfshirë të fëmijëve, Spilios Kriketos, deputet nga partia Demokracia e Re, tha se Greqia “nuk mund të tolerojë më shumë emigrantë”. Ai këto komente i bëri gjatë një interviste për kanalin Kontra në YouTube.

Ai i akuzoi emigrantët për vjedhje.

Pas kësaj interviste, partia e Mitsotakis e përjashtoi atë.

“Mendimet, sikurse ato të shprehura nga Spilios Kriketos nuk kanë vend në partinë tonë. Deklarata të urrejtjes dhe raciste nuk janë pjesë e vlerave të partisë sonë”, u tha në deklaratën e këtij subjekti politik.

Kriketos po garon për zgjedhjet legjislative të 25 qershorit, pasi Mitsotakis doli i pari në zgjedhjet e majit. Megjithatë, nga këto zgjedhje ish-kryeministri grek nuk fitoi shumicë të qartë parlamentare.

Partia opozitare e majtë, Syriza i cilësoi si “raciste” deklaratat e deputetit grek dhe kërkoi largimin e tij nga partia Demokracia e Re.

Ish-qeveria greke që ishte në pushtet më 2019-2023, e udhëhequr nga Mitsotakis, ka ndjekur një politikë strikte ndaj migracionit dhe është përqendruar në “sigurinë” dhe mbylljen e kufijve.

Mediat greke dhe organizatat joqeveritare vazhdimisht kanë akuzuar Greqinë se ka kryer dëbime “të paligjshme” të emigrantëve në Detin Egje, një akuzë që është hedhur poshtë nga ekzekutivi paraprak./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!