Haradinaj: Lirinë e bëri më kuptimplotë përkrahja e SHBA-së dhe NATO-s

schedule12:51 - 12 Qershor, 2023

schedule 12:51 - 12 Qershor, 2023

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka uruar 24 vjetorin e çlirimit të Kosovës, duke thënë se për këto vjet në liri, Kosova është ndërtuar dhe është zhvilluar jashtëzakonisht shumë, ndoshta më shumë se secili vend në rajon për të njëjtën periudhë kohore.

Haradinaj ka shkruar në Facebook se Kosova ka ndërtuar gjithçka nga fillimi, e sot jemi shtet që njihemi ndërkombëtarisht.

“Të përulur përjetësisht, kujtojmë e nderojmë rrugën e gjatë dhe përpjekjet e mundimshme të shqiptarëve në të gjitha periudhat historike që kulmuan me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për këto 24 vjet në liri, Kosova është ndërtuar e është zhvilluar jashtëzakonisht shumë, ndoshta më shumë se secili vend në rajon për të njëjtën periudhë kohore.

Kosova ka ndërtuar gjithçka nga fillimi, e sot jemi shtet që njihemi ndërkombëtarisht, një vend për të cilin ka njohuri e gjithë bota. Duke kujtuar betejat e burrave e grave të UÇK-së anekënd vendit, jemi falënderues për aleatët tanë të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lirinë tonë e bëri edhe më kuptimplotë, përkrahja e bashkësisë ndërkombëtare në krye me SHBA-të dhe NATO-n, që përshpejtoi fitoren duke ndërprerë vuajtjet dhe gjenocidin që ushtrohej mbi popullin tonë.

Ta gëzojmë këtë liri, ta njohim vlerën e saj dhe të vazhdojmë në ndërtimin e të ardhmes sa më të mirë”, ka shkruar ai./kosovapress

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!