Rusi, bastisje masive në zyrat e aktivistëve të opozitës

schedule23:30 - 12 Shtator, 2019

schedule 23:30 - 12 Shtator, 2019

Agjentë të policisë ruse kryen të enjten një bastisje masive në banesën dhe zyrën e kritikut të kremlinit, Aleksei Navalni. Forcat e rendit kontrolluan gjithashtu zyrat e mbështetësve të tij në mbarë vendin, një lëvizje të cilën Navalni e cilësoi si bastisjen më të madhe në historinë e Rusisë moderne. Mbi 200 kontrolle u kryen në 41 lokalitete të ndryshme, në kuadër të një hetimi për pastrim parash. Policë të maskuar përdorën forcën për të rrëzuar dyert e banesave dhe zyrave, ndërsa oficerë të armatosur siguruan zonat përreth. Bastisjet vijnë pak ditë pasi partia në pushtet Rusia e Bashkuar, që mbështet presidentin Vladimir Putin, humbi një të tretën e vendeve në këshillin bashkiak të Moskës. Navalni, aleatëve të të cilit iu ndalua pjesëmarrja në zgjedhjet për Bashkinë e Moskës, u kishte bërë thirrje qytetarëve që të votonin me zgjuarsi, në mënyrë që të reduktonin fuqinë e kandidatëve të mbështetur nga Kremlini, strategji që pati sukses. /ABC News Albania 24/7