​Kurti për situatën në veri: S’kam marrë ultimatum, nuk zgjidhet me trysni

schedule16:45 - 7 Qershor, 2023

schedule 16:45 - 7 Qershor, 2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se deeskalimi i situatës në veri nuk mund të zgjidhet me trysni dhe përmendje pasojash. Ai pranoi se ka sfida në diskutimet me emisarët Lajçak dhe Escobar por u shpreh i bindur se do të mund t’i sqarojnë të gjitha paqartësitë, derisa shtoi se s’ka marrë asnjë ultimatum nga ata për zgjidhjen e situatës në veri.

Kurti, pasi mori pjesë në një aktivitet të xhudos në Mitrovicë, para mediave tha se u ka ofruar përfaqësuesit special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe emisarit të ShBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar mënyrën e sigurt se si të ketë një dalje të qëndrueshme nga kriza në veri të Kosovës.

Ai tha se është pro mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në veri, por me kushtin që fillimisht të ketë sundim të ligjit në atje dhe pastaj që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike.

Kurti insistoi se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian e ShBA-së janë të shkëlqyera.

Ai shtoi se kur vijnë për diskutime emisarët evropian dhe amerikan në Kosovë janë në cilësi të ndërmjetësuesit të dialogut dhe aty nuk është në pyetje BE-ja dhe ShBA-ja, por raporti i Kosovës me Serbinë.

Sipas Kurtit, në këtë situatë është vendi për shkak të braktisjes së Listës Serbe të institucioneve. Ai tha se bashkësia ndërkombëtare nuk ka arritur të garantojë pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet e 23 prill, ani pse i kishin premtuar atij pas nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit.

Në anën tjetër, Kurti tha se Qeveria e Kosovës ende s’ka asnjë draft të shkruar për statutin e Asociacionit, ani pse emisari i ShBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, tha se ekzekutivi e ka të gatshëm draftin për Asociacionin por po e mban të fshehur.

Gjatë kësaj jave në Kosovë qëndruan përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe emisari i Ballkanit Perëndimor, Gabriel Escobar, të cilët paraqitën tri kërkesa për Kosovën, deeskalimi i situatës në veri, organizimi i zgjedhjeve të reja në komunat veriore sa më shpejtë dhe rikthimi në dialog./KosovaPress/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!