Dy parti rivale serbe formuan koalicion për të garuar së bashku në zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë. Iniciativa Qytetare serbe, SDP është shkrirë në Listën Serbe. Një prej deputetëve të SDP-së dha dorëheqjen pasi nuk ishte dakord me këtë lëvizje.
Iniciativa Qytetare serbe SDP e tashmë liderit të vrarë të saj Oliver Ivanoviç, do të jetë pjesë e Listës Serbe, parti kjo e përkrahur nga Beogradi për zgjedhjet e 6 Tetorit në Kosovë.
Kjo iniciativë që deri më tash është konsideruar rivale me Listën Serbe ka marrë vendim që të shkrihet në këtë listë pasi siç thuhet në njoftim, serbët në Kosovë kanë nevojë për unitet, mbështetjen e shtetit të Serbisë dhe ruajtjen e interesave kombëtare.
Por kjo nuk i ka pëlqyer aspak anëtarit të kësaj iniciative Marko Jakshiç, i cili ka dhënë dorëheqje. Nëpërmjet një statusi në Facebook, ai thotë se nuk do që askush ta asiociojë atë me Listën Serbe.
“Do të më vinte turp, edhe nga njerëzit, por edhe nga Oliver Ivanoviç i cili nuk është më mes nesh. Por mirë. Të gjithë sipas zgjedhjes së tyre”, ka shkruar Jakshiç në Facebook.
Kanë reaguar edhe dy asamblistë tjerë të kësaj iniciative të cilët kanë thënë se nënkryetarja e kësaj partie Ksenia Bozhoviç i ka tradhtuar. Ndërsa partitë tjera serbe të mbledhura bashkë në një koalicion parazgjedhor të quajtur Liria. Me këtë bashkim synon të sfidojnë listën serbe. Për analistin Imer Mushkolaj, krijimi i këtij koalicioni serb është i rëndësishëm.
“Lista serbe më shumë ka punuar për interesat e Beogradit sesa interesat e serbëve të Kosovës. Me këtë koalicion do të fitojë vota dhe duke e dëmtuar Listën Serbe do të jetë një alternativë për qytetarët serbë të Kosovës që të votojnë këtë koalicion”.
Oliver Ivanoviç ka udhëhequr me iniciativën qytetare SDP-në që nga viti 2013, ai është vrarë para më shumë se një viti para zyrave të tij në veri të Mitrovicës. Deri më tash janë arrestuar tre persona si të dyshimtë se janë të përfshirë në këtë vrasje, ndërsa në arrati është i dyshuari tjetër, Milan Radojiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe. /ABC News Albania 24/7