Presidenti serb i Bosnjës ka bllokuar miratimin e Planit Vjetor për anëtarësimin e vendit në NATO. Pas kësaj kryesuesi i Presidencës kolektive në Sarajevë, kroati Zhelko Komshiç nuk përjashtoi mundësinë që në këtë vendim te presidentit serb të ketë ndikim edhe Rusia, e cila nuk dëshiron integrimin e Bosnjë- Hercegovines në NATO.
Pas Marrëveshjes së Dejtonit që më 1995 i dha fund gjakderdhjes më të madhe të pas Luftës së Dytë Botërore në Evropë, Bosnjë e Hercegovina vazhdon të jetë shtet jofunksional, si rezultat i ndasive dhe intolerancës ndëretnike. Kryesuesi i radhës i Presidencës treanëtarëshe të Bosnjë e Hercegovinës, kroati Zhelko Komshiq, në një intervistë për televizionin e pavarur N1 ka thënë këto ditë se beson që prapa kundështimit, sipas tij iracional, të miratimit të Planit Vjetor për në NATO nga ana e anëtarit të saj, Milorad Dodik, qëndron Moska zyrtare. Kjo për shkak se aderimi në Aleancë, Bosnjë e Hercegovinës do t’i sjellte vetëm të mira:
“Nuk ka logjikë që ju të jeni kundër NATO-s që ju garanton sigurinë elementare, pra nëse jeni në NATO – harrojeni më konfliket, konfliktet e brendshme. Nuk ka më konflike, nuk ka luftëra, nuk ka frikë nga lufta. Nuk ka frikë se dikush nga jashtë ka për t’ju sulmuar” – thotë Komshiq. Sipas tij, për mirëfunksionimin e Bosnjë e Hercegovinës e domosdoshme është vendosja e shtetit qytetar.
“Kur themi qytetar, kjo nuk domethënë se dikush angazhohet që ne më nuk jemi serbë, kroatë, boshnjakë, romë, hebrenj. Askush nuk angazhohet për këtë, për shkak se ne jemi. Shteti qytetar nënkupton barazinë tonë në nivel të individit dhe që ne të drejtat tona të njeriut, të drejtat elementare, të mos i realizojmë nëpërmjet kolektivitetit, përmes përkatësisë së popullit, por ato të drejta i realizojmë si qytetarë njëlloj të barabartë të Bosnjë e Hercegovinës” – thotë kreu i radhës i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës duke marrë si shembull shqiptarët për ndërtimin e identitetit kombëtar.
“Këtë duhet mësuar, fjala vjen, nga shqiptarët. Si ndërtohet identiteti dhe çfarë të mbron. Edhe ndër shqiptarët keni ortodoksë, katolikë dhe myslimanë, por ata janë shqiptarë. A do ta arrijmë ne që kjo të vijë edhe në këto hapësira, nuk e di”.
Vëzhguesit në Sarajevë nuk e fshehin se për shkak të mënyrës se si është organizuar dhe intolerancës ndëretnike, Bosnjë e Hercegovina është shteti më i ndërlikuar, me një armatë të tërë qeverish, ministrash e nëpunësis shtetërorë dhe administrator ndërkombëtar me plotë ingjerenca, konform Marrëveshjes së Dejtonit, por që minohen nga politikanët. /ABC News Albania 24/7