“Anësori i Rangers, Eros Grezda, ishte për një largim nga klubi këtë verë, por asnjë ekip nuk mundi ta marrë shqiptarin deri në fund të merkatos”.
Kështu niset artikulli i një medie sportive skoceze në lidhje me sulmuesin shqiptar. Grezda iu bashkua Rangers për 2 milionë Euro nga Osijek verën e kaluar. Mirëpo shqiptari nuk mundi të lërë shenja dhe trajneri Gerrard ka konfirmuar interesa të klubeve të tjera këtë verë për të. Megjithatë deri në fund të merkatos nuk u arrit asnjë gjë, me Grezdën që mbeti sërish nën urdhrat e ish-mesfushorit të Liverpool.
Por duke qenë se ndodhet në një ekip ku nuk pritet të jetë titullar, çfarë pritet të ndodhë me Grezdën?
Deri më tani duket e pamundur që ai të fitojë një vend titullari. Mirëpo kjo nuk do të thotë se sulmuesi duhet të ndalojë. Sipas medias skoceze, Grezda duhet të përveshë mëngët dhe të punojë fuqishëm për t’i treguar klubit, por edhe kombëtares shqiptare se është një lojtar që meriton të luajë në nivele të forta.
Kujtojmë se disa ditë më parë, trajneri i kombëtares shqiptare Edy Reja shpalli listën e lojtarëve të ftuar për ndeshjet ndaj Islandës dhe Francës, ku në sy binte mungesa e Eros Grezdës. Shkak janë bërë hapësirat e pakta që ai ka pasur me Rangers./abcnews.al