“Vora e di ç’të bën Saliu e Shkëlzeni”, Veliaj: Blerimin e provuat për 12 muaj, në Tiranë do fitojmë 5 me 0

schedule16:51 - 10 Maj, 2023

schedule 16:51 - 10 Maj, 2023

Teksa kërkoi votën, jo vetëm të socialistëve, por edhe të demokratëve, për Blerim Sherën në Bashkinë e Vorës, drejtuesi politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, tha se qytetarët nuk duhet të votojnë për ta çuar vendin mbrapa, në fatkeqësi si ajo e Gërdecit. Veliaj tha se PD të vetmen gjë që e ka me provë është se di ta bëjë vetëm gropë.

“Kur këta thonë që te sheshi ‘Skënderbej’ do bëjmë një gropë të madhe dhe nga gropa do dalim në anën tjetër, ju në Vorë sidomos, e dini që këta po e thanë që bëjnë gropë, këta e bëjnë vërtet gropë. Kush ka jetuar këtu e di shumë mirë gropën e Gërdecit. Këta e bëjnë gropë që ç’ke me të! Në qoftë se ka një premtim që PD, Saliu dhe Ilir Meta e mbajnë, është se këta e bëjnë gropë. Dhe këta marrin jetë njerëzish kur e bëjnë gropë. Këta të bëjnë hatanë që ti nuk e harron kurrë, tërë jetën. Këtu ka familjarë që jetuan dhe mbijetuan tragjedinë e Gërdecit. Ne nuk e duam gropë! Ne nuk duam më fatkeqësi. Nuk duam të kthehemi më mbrapsht. Ne duam të shkojmë vetëm përpara për të ecur, për të përparuar, për të mbaruar punë, për të mbajtur premtimet dhe për t’u siguruar që çunat dhe gocat e Vorës kanë një të ardhme. Nuk ka nevojë të bindemi ne. O e di Vora se ç’a të bën Saliu me Shkëlzenin, o nuk e di njeri. O e di Vora se çfarë të bën Fatmir Mediu me Ilir Metën, o nuk e di asnjë njeri tjetër,” deklaroi Veliaj.

Ai tha se ashtu si në zgjedhjet e një viti më parë, ku PS mori 70% të votave, edhe në 14 maj Vora do të votojë të shkojë vetëm përpara.

“Ne do sigurohemi që të kemi një fitore 5 – 0 në Qarkun e Tiranës. Ashtu si ekipi i Vorës që u ngrit shumë herë më i fortë dhe më i fuqishëm, ashtu dhe skuadra jonë është super në formë për një rezultat 5 – 0. Ne duam jo vetëm familjen tonë, por ne duam që edhe të tjerët të bashkohen me ne. Ne duam që edhe ata që kanë qenë deri dje me Saliun dhe me Shkëlzenin, të kuptojnë që nuk mund të votosh për dikë që të dhunon, nuk mund të japësh besimin për dikë që të shkatërron, nuk mundet t’i japësh kontratën të të shërbejë dikujt që të hedh në erë. Ne duhet të tregojmë se ky është një qytet me dinjitet. Që nuk ka asnjë votë për ata që e kanë hedhur në erë, për ata që kanë hapur 26 varre, për ata që e kanë dhunuar Vorën, por ne kemi votë, kemi marrëveshje, kemi besëlidhje me Blerim Sherën, skuadrën e tij, skuadrën e Partisë Socialiste, skuadrën e familjes sonë të madhe të Vorës, ekipin e Vorës, çunat dhe gocat e Vorës dhe gjyshet dhe gjyshërit e Vorës. Kjo është aleanca jonë,” deklaroi drejtuesi socialist i Qarkut.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!