Veliaj me operatorët turistikë në Kavajë: Vetëm me bashkëpunim e çojmë vendin përpara; Ata i duan bashkitë për përçarje dhe sherr

schedule16:08 - 8 Maj, 2023

schedule 16:08 - 8 Maj, 2023

Nga Kavaja, gjatë një takimi me operatorët turistikë atje, në hapje të sezonit, drejtuesi Politik i PS-së për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me kandidatin e PS-së për Bashkinë e Kavajës, Redjan Krali, nënvizoi faktin se kur njerëzit bëjnë bilanc të punëve në qytet, rezultati është se vetëm Partia Socialiste, në bashkëpunim me qeverinë, mund ta çojnë vendin përpara.

“E di që Kavaja vjen nga e djathta, e di që edhe shumica e mandateve të Saliut janë prodhuar në Kavajë, por të thuash që sot, në vitin 2023, ti ke varur xhaketën diku, dhe të mos dukesh për 4 vjet, dhe mendon se njerëzit rrinë dhe adhurojnë xhaketën tënde të varur në gozhdë, apo të thuash që këta i kam në xhep, besoj se është një fyerje shumë e madhe. Unë mendoj se njerëzit duhet të kenë një marrëdhënie bilanci me politikën. Nëse bilanci thotë se janë ndërtuar disa shkolla dhe sot kemi kushte më të mira, se është shtuar pastrimi, se është shtuar ndriçimi, se është shtuar numri i turistëve, është shtuar edhe një atraksion turistik si vepra ‘Meteor’, unë besoj se bilanci ynë në Kavajë del pozitiv, është bilanc në favor të Redit dhe Partisë Socialiste, që e shikojnë Kavajën jo për ta pasur në xhep, jo për të varur xhaketën, jo mish për top, dhe as për të mbushur autobusët për protesta në Tiranë”, u shpreh Veliaj.

Mandej, kryebashkiaku i Tiranës vijoi: “Në qoftë se ka një marrëdhënie të mirë mes bashkisë dhe qeverisë, këtu nuk ka të humbur. Unë si Kryetar Bashkie në Tiranë, kësaj here e kam ndjerë se çfarë do të thotë ta trajtosh një qytet, ose një komunitet, si mish për top. Mbaj mend protestat për Teatrin, dilte njëri me megafon dhe thoshte: ‘Shumë faleminderit Kamza, autobusat ju presin te Hotel Tirana. Nesër urgjent autobusët e Kavajës, se nesër e ka radhën Kavaja për të protestuar për Teatrin’. Trajtimi i qyteteve si depozita për të mbushur autobusët për protesta është një fyerje për çdo qytet. Unë e marr shumë seriozisht këtë fushatë dhe i kam kërkuar çdo miku, çdo shoku dhe çdo kalimtari, që të na japë një mbështetje, sepse nuk duhet marrë me sportivitet diçka që ka impakt në 4 vitet e ardhshme të jetës sonë, por sidomos në katër vitet e ardhshme të bilancit të secilës prej kompanive që është këtu”.

Veliaj kërkoi mbështetjen e operatorëve turistikë për kandidatin e PS-së për Kavajën, Redjan Krali, sepse ka vetëm një parti që e çon vendin përpara me punë dhe jo me përçarje.

“Kam nevojë që ju të mbështesni Redin, që ta çojë Kavajën përpara në këto 4 vite. Duke çuar Kavajën përpara, të çojë edhe të gjitha këto biznese përpara. Mua më duket fyerje kur dikush thotë: ‘Na jepni Kavajën që të rrëzojmë Edi Ramën’. Së pari, e provoi Lul Basha i shkretë, aq shumë sa u lodh dhe iku në shtëpi. Pra, e provoi këtë histori me protesta. Sot kjo qeveri, në të gjitha sondazhet ka shumicë absolute. Përdorimi i qeverisë ose i bashkisë, si një instrument për të luftuar njeri-tjetrin, është diçka që nuk funksionon, se nuk ka funksionuar. Kur dikush thotë ma jepni Bashkinë se do rrëzojmë Edi Ramën, është një histori që bën një divorc mes atyre që duan të ndihmojnë dhe atyre që nuk duan të ndihmojnë”, përfundoi Veliaj.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!