“Aspirinat” e Bayer Leverkusen po kalojnë një sezon fantastik në udhëheqjen e teknikut spanjoll, Xabi Alonso, duke e vënë këtë të fundit në “lupën” e ekipeve “big” të Evropës, me shumicat prej tyre që pritet të kenë ndërrime në krye të pankinave gjatë merkatos së verës.
Sipas raportimeve të mediave spanjolle e britanike, gjithnjë e më shumë po flitet për kalimin e spanjoll te Tottenham ose Real Madrid, me “londinezët” që e kanë shprehur haptazi dëshirën e tyre për ish-mesfushorin dhe janë të dëshpëruar për të siguruar shërbimet e një trajner pas largimit të Antonio Conte.
Ndërkaq në krahun tjetër, në Madrid ende janë në pritur për të kuptuar se çfarë do të ndodh me Ancelotti-n, pavarësisht zërave se italiani do të largohet në fundin e këtij sezoni. Megjithatë, Alonso duket i qetë për momentin dhe për më tepër, nuk është aspak i surprizuar nga këto lajme.
“Këto thashetheme nuk më befasojnë aspak sepse kam qenë një futbollist profesionist dhe pothuajse jam mësuar me të tilla lajme. Nuk po mendoj aspak për këto zëra, pasi unë jam 100% i fokusuar te fundi i sezonit, me skuadrën time. Kemi mundësinë për të fituar trofe dhe jam totalisht i fokusuar te ndeshjet e radhës. Jo vetëm kaq, por po mendoj edhe për Leverkusen-in e sezonit të ardhshëm”,- tha spanjolli në fjalën e tij. /i.m /abcnews.al