Pas aludimeve se ish-trajneri i Bayern Munich, Julian Nagelsmann ose trajneri i Feyenoord, Arne Slot mund të marrin në fund të sezonit postin e trajnerit te “londinezët” e Tottenham, tashmë në “garën” për pankinën e Spurs ka hyrë dhe spanjolli i Bayer Leverkusen, Xabi Alonso.
Ish-mesfushori i Real Madrid, Bayern Munich e Liverpool është i preferuari i Presidentit Daniel Levy, me këtë të fundit që është i mahnitur nga puna e spanjollit me “aspirinat” gjermane.
Xabi Alonso mori drejtimin e Leverkusen 2 muaj pas fillimit të sezonit dhe që nga ai moment ka bërë mrekullinë me gjermanët, fillimisht duke i ngjitur ata nga vendi i parafundit në renditjen e kampionatit në vendin e 5-të dhe më pas arriti gjysmë-finalen e Europa League, aty ku do të përballet me “verdhekuqtë” e Roma, me ndeshjen e parë që do të zhvillohet të enjten e ardhshme.
Deri më tani, klubi nuk ka dhënë informacion për mediat mbi teknikun që do të zgjedhin, por pritet që një nga “fatlumët” të jetë Arne Slot ose Xabi Alonso. /i.m /abcnews.al