Parku kombëtar i Butrintit, ministrja Margariti tregon si u zhvillua konkursi: Jehonë ndërkombëtare deri në Japoni

schedule09:52 - 3 Maj, 2023

schedule 09:52 - 3 Maj, 2023

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka folur këtë të mërkurë për konkursin e zhvilluar për Qendrën e  Vizitorëve në Parkun kombëtar të Butrintit, ku fituese u shpall studio japoneze e Kengo Kuma.

E ftuar në “ABC e Mëngjesit”, ajo tregoi si u projektua ky konkurs me qindra pjesëmarrës nga e gjithë bota, ku në fund mbetën vetëm 4 finalistë.

Sipas Margatit, juria nuk dinte emrat e tyre, por vetëm punimet dhe si pasojë fituesi u shpall në mënyrë të drejtë.

Sakaq, ajo theksoi se ndihen krenar që arkitekti i njohur japonez ka zgjedhur që të investohet në Butrint, duke e bërë më të famshme Shqipërinë kudo në botë.

“Kanë qenë 4 finalistë, 41 të kualifikuar mbi një numër shumë të lartë të interesuarish, pra informacioni mbi konkursin është ndërmarrë në mbi 100 studio projektimi në të gjithë botën, në të cilën 41 prej tyre kanë qenë gati të kualifikuar për të pasur të gjithë pjesëmarrjen në konkurs. Edhe më pas nëpërmjet një kompanie që na ka asistuar nga dita e parë për të gjithë procesin e zhvillimit të konkursit. Kemi seleksionuar këto 4 studio finaliste që kishin pikët më të larta për pjesëmarrjen në këtë konkurs dhe ju dha koha e duhur për të bërë si vizitën direkt, si mbledhjen e gjithë informacioneve, takimet e dedikuara. Unë vetë i kam takuar me ardhjen e tyre në Shqipëri, për t’i dhënë iden dhe planin e menaxhimit për zhvillimin e gjithë zonës së Butrintit.

Edhe më pas, pak më shumë se një muaj, patëm konkursin final ku Kengo Kuma, që është një nga emrat më të lartë në arenën ndërkombëtare, kjo na bën vërtetë krenarë që ai vetë ka përzgjedhur Butrintin, pra që kemi arritur ta përhapim jehonën e këtij konkursi në të gjithë botën, pra deri në Japoni. Konkursi ka qene anonim, pra ne e dinim se kush ishin 4 finalistët por jo emrat e tyre dhe juria ka cilësuar punët e finalistëve pa ditur emrin e arkitekteve”, tha ajo./abcnews.al