Një makinë e përfshirë nga flakët dhe katër të rinj të bllokuar brenda saj. Kjo ishte skena dramatike që përjetoi 53-vjeçari shqiptar Hajdin Limoni në Wohlen të Zvicrës.
Ai po kthehej në shtëpi kur pa zjarrin dhe fillimisht mendoi se po digjej një shkurre. Por, kur iu afrua, kuptoi se bëhej fjalë për një automjet të aksidentuar.
Brenda tij ndodheshin katër të rinj, tre prej të cilëve ishin pa ndjenja.
Pa pritur mbërritjen e shërbimeve të emergjencës, Hajdini u fut mes flakëve për t’i shpëtuar. Me një thikë preu rripat e sigurimit dhe, së bashku me persona të tjerë, nxori shoferin nga makina.
Por momenti më dramatik erdhi kur pasagjerja nisi të bërtiste: “Më ndihmo, po vdes!”
Vajza ishte bllokuar brenda automjetit, i cili ishte deformuar nga përplasja. Hajdini dhe të tjerët arritën ta nxirrnin edhe atë, ndërsa ai pësoi djegie në duar dhe në ballë.
Por historia mori një tjetër dimension pasi u mësua se vajza që ai kishte shpëtuar ishte gjithashtu shqiptare. Një rastësi e jashtëzakonshme që e bëri edhe më të fortë lidhjen e kësaj historie.
“Duhej të veproja menjëherë. Bëhej fjalë për të shpëtuar jetë”, rrëfen Hajdini. Sot, ai e pranon se ndërhyrja ishte një akt guximi që mund të kishte përfunduar edhe në tragjedi.
Por mbi plagët në duar e në ballë, ajo që nuk do ta harrojë kurrë është zëri i vajzës që kërkonte ndihmë mes flakëve./abcnews.al


