Një anije-muze për lundrimin detar të Katarit është ndaluar në Durrës. Vizitorët e shumtë patën fatin të njihen me vlerat dhe një pjesë të historisë së një vendi siç është Katari.
Anija e konsideruar një muze mbi trashëgiminë e detarisë në Katar dhe që lundron nëpër Mesdhe duke promovuar kampionatin botëror të Futbollit Katar 2022 si dhe vlerat e miqësisë mes vendeve ka mbërritur në Durrës.
Shoqëruar nga një atmosfere festive dhe argëtimi për qytetarët dhe turistët e shumtë që ndodhen në qytet këtë sezon.
“Fateh Al Khair 4”, u ankorua në kalatën 5 dhe ishte në dispozicion të vizitoreve.
Ekuipazhi i saj u prit nga autoritetet vendore, ambasadori i Katarit në vendin tonë dhe shume njerëz që shijuan edhe koncertin e mikpritjes të organizuar në port mbrëmjen e kaluar.
Ambasadori i Katarit në vendin tonë Ali Bin Hamad Al-Marri ka falënderuar kryebashkiaken Sako për organizimin e kësaj pritjeje madhështore.
“Jam i lumtur që mirëpresim këtu në këtë qytet të historisë dhe kulturës shqiptare, anijen “Fateh Al Khair 4”. Prandaj, më lejoni që në emrin e të gjithë juve, t’i uroj mirëseardhjen anijes, kapitenit të saj Muhamed bin Yusuf Al-Sada dhe marinarëve të tij, dhe t’i uroj atyre suksese në përcjelljen e mesazhit të tyre popullit mik shqiptar, si dhe në hapjen e horizonteve të reja të komunikimit dhe shkëmbimit kulturor dhe social midis dy popujve tanë”, tha ai.
Të pranishmit patën mundësinë të shohin nga brenda velierën e llojit ”Boom safari” e punuar në dru, të njihen me kulturën detare të Katarit dhe t’i gëzohen suvenireve sportive të shpërndara me këtë rast.
Kjo vizitë është dhe një mundësi njohjeje e promovimi për turizmin shqiptar dhe Durrësin./ABC News Albania 24/7


