SHBA-Britani, marrëveshje madhore post-BREXIT

schedule13:45 - 25 Gusht, 2019

schedule 13:45 - 25 Gusht, 2019

Shtetet e Bashkuara dhe Britania po bëhen gati të arrijnë një marrëveshje të madhe tregtare mes tyre, që ka gjasa të lërë mënjanë Bashkimin Europian. Për presidentin Trump, që u takua me kryeministrin Boris Xhonson në Francë, me largimin nga Unioni, Britania do çlirohet nga zinxhirët.

Presidenti Donald Trump ka premtuar arritjen e një marrëveshjeje të madhe tregtare me Britaninë sapo kjo të largohet nga BE-ja. Për Trump, Breksit do të çlirojë Mbretërinë e Bashkuar nga një zinxhir që e mbante të lidhur.

Këto komente shefi i Shtëpisë së Bardhë i ka bërë pas një mëngjesi pune të zhvilluar me kryeministrin britanik Boris Xhonson në Francë, në kuadër të samitit të G7-s.

“Do të arrijmë një marrëveshje shumë të madhe, më të madhen që kemi pasur ndonjëherë dhe Britania në njëfarë pike nuk do të kent më pengesa, pasi nuk do të jetë më e lidhur me zinxhirë siç ka qenë deri më sot”, deklaroi Trump.

Por Xhonson nga ana e tij tha se Shtetet e Basahkuara duhet të bëjnë lëshime nëse duan që një marrëveshje e tillë të arrihet.

“Ne duhet t’i kapim shanset që na vijnë, por do të duhet që miqtë tanë amerikanë të bëjnë kompromis dhe të jenë më të hapur në qasjen e tyre, pasi aktualisht tregtia dypalëshe ka shumë pengesa”, tha Xhonson.

Muajin e kaluar, presidenti Trump tha se bisedimet me palën britanike për një marrëveshje gjithëpërfshirëse ishin në zhvillim e sipër.

Ai tha gjithashtu se, marrëveshja në fjalë do të intensifikonte katër herë më shumë tregtinë dypalëshe, por nuk dha detaje se si do të realizohet një gjë e tillë.

Por kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nensi Pelozi paralajmëroi se një marrëveshje eventuale mes Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë nuk do të miratohet në Kongres nëse ajo cënon marrëveshjen e paqes me Irlandën e Veriut.

Zonja Pelozi theksoi se dalja e Britanisë nga BE-ja nuk duhet të vërë në rrezik akordin e paqes të vitit 1998, për arritjen e të cilit Shtetet e Bashkuara dhanë kontributin e tyre./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!