Shpërthimi në pikën e karburantit, policia: 7 të plagosur mes tyre dhe 2 fëmijë

schedule10:03 - 25 Gusht, 2019

schedule 10:03 - 25 Gusht, 2019

Policia e Lezhës ka sqaruar cfarë ndodhi mbrëmë, në një pikë karburanti në Shënkoll, ku pas një shpërthimi mbetën të plagosur 7 persona mes tyre edhe 2 fëmijë.

Shkaku i zjarrit të fuqishëm mbrëmjen e djeshme në Shënkoll të Lezhës ka qenë shpërthimi i një bombole gazi që shërbente për mbushjen e automjeteve.

Dy prej të plagosurve janë transportuar për në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa të tjerët po marrin kurim në spitalin rajonal të Lezhës, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Policia lokale sqaron se nga hetimet e para, ngjarja dyshohet të jetë aksidentale.

Njoftimi i policisë:

Më datë 24.08.2019, rreth orës 22:10, në aksin rrugor Lezhë – Milot, në kryqëzim të Shënkollit, në një karburant, ka shpërthyer dhe ka marrë flakë një bombol gazi që shërbente për furnizimin me gaz të automjeteve.

Për pasojë janë lënduar 5 shtetas që ndodheshin në një mjet që po furnizohej me gaz, shtetasit B.B. vjeç 36, A.B. vjeç 33, D.B. vjeçe 33, 2 vajza të mitura 5 dhe 2 vjeçe dhe dy punonjës pranë karburantit, shtetasit N.P. vjeç 40 dhe P.L. vjeç 31, si dhe janë dëmtuar e djegur disa automjete që ndodheshin të parkuara.

Shtetasit N.P. dhe B.B. ndodhen në Spitalin e Traumës në Tiranë për ndihmë mjekësore më të specializuar, ndërsa shtetasit e tjerë ndodhen në Spitalin Rajonal Lezhë jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë pas njoftimit të marrë për ngjarjen, forca të shumta policie dhe disa zjarrfikëse shkuan në vendngjarje, ku zjarrfikëset bënë të mundur fikjen e plotë të zjarrit duke shmangur plotësisht rrezikun e përfshirjes nga flakët të depozitave të karburantit. Policia mori masa duke vendosur perimetrin e sigurisë e largimin e të gjithë qytetarëve nga perimetri i sigurisë, si dhe bllokimin e aksit rrugor duke i menaxhuar e drejtuar për në akse të tjera lëvizjeje.

Nga hetimet paraprake, dyshohet se ngjarja ka qenë aksidentale, ndodhur nga një defekt teknik në sistemin e gazit. Megjithatë, vazhdon puna për hetimin e plotë të rrethanave të ngjarjes nga specialistët dhe ekspertët përkatës, për përcaktimin e saktë të shkaqeve të saj“, ka njoftuar policia e shtetit në komunikatën e saj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!