Pas hapit fals të Bayern Munich në transfertën e javës së shkuar, në Mainz ku u mundën me rezultatin e thellë 3 me 1, tashmë kreu në klasifikimin e Kampionatit gjerman të futbollit, Bundesliga i takon një skuadre, me “verdhezinjtë” e Borussia Dortmund që nuk gabuan përballë Eintracht Frankfurt dhe ndodhen aktualisht 1 pikë para “bavarezëve”.
Tashmë çdo ndeshje duket si një “finale” dhe për ndeshjen e kësaj jave në kampionat ndaj Bochum ka folur dhe tekniku i Dortmund, Edin Terzic, i cili në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes së nesërme tha se këtë vit Gjermania duhet të ketë një kampion ndryshe nga 10 vitet e fundit.
“Ne jemi Borussia Dortmund dhe çdo vit themi se duam të luajmë për të fituar tituj. E vetmja gjë që nuk dua është të flas çdo herë për të. Nuk dua të flas për mundësinë për t’u bërë kampion i Gjermanisë, dua të punoj për të, dua që ta tregojmë.
Nuk më intereson nëse unë dukem ofendues, modest apo diçka tjetër, duam të kemi një kampion ndryshe nga 10 vitet e fundit, kemi 5 hapa për të hedhur, por tjetri është gjithmonë më i rëndësishmi”,- u shpreh tekniku i “verdhezinjve”. /i.m /abcnews.al