Me performancat e tij fantastike, “shtatlarti” belg, Thibaut Courtois ka mbajtur jo pak herë të paprekur rrejtën e “galaktikëve” të Real Madrid, duke e kthyer belgun në një nga portierët më të mirë të gjeneratës sonë.
Në një intervistë për revistën “Vanityfair”, Courtois i tregoi “të gjitha”, që nga fati i madh që ka patur për të luajtuar me ekipe legjendare, si Chelsea, Atletico e Real Madrid e deri te fillimet e karrierës së tij, te “gjigandët” belg, të Genk.
“Unë jam me fat që kam luajtur për ekipe të mëdha si Atlético Madrid dhe Chelsea, por Real Madrid është ekipi më i mirë në botë. Kudo shkon të gjithë të njohin, të përgëzojnë nëse sapo ke fituar një titull. Është një nivel tjetër”,- u shpreh Courtois në fillim të intervistës.
Më pas, 30-vjeçari u ndal te fillimet e karrierës së tij, teksa zbuloi se në fillimit e karrierës së tij ka luajtuar si mbrojtës me ekipin e Genk dhe më pas në moshën 14-vjeçare mori pozicionin që sot e ka kthyer në një nga më të mirët e historisë.
“Në fillimet e mia me Genk kam luajtur në mbrojtje. Më pas, në moshën 14-vjeçare, pata një rritje dhe më kthyen në portier. Ishte një kohë që mendoja të ndryshoja sportin. Për fat nuk bëra sepse nuk doja dhe sot jam te Real Madrid”,- u shpreh Courtois duke qeshur.
Në vijim shtatlarti belg foli dhe për transferimin e tij të parë, gjë që ndodhi kur ai ishte vetëm 18-vjeç. Asokohe Courtois u ble nga Chelsea, me “blutë” që e huazuan tek Atletico Madrid e më pas gjithçka i mbetet historisë.
“Shumë njerëz më këshilluan të qëndroja një vit shtesë në Belgjikë, por e dija që nëse doja të rritesha profesionalisht dhe personalisht, duhej të largohesha”,- tha portieri i “galaktikëve”.
Courtois foli gjithashtu dhe për marrëdhënien e tij me Presidentin e madrilenëve, Florentino Perez, teksa tha se gëzon një raport shumë të mirë me “numrin 1” të “galaktikëve” dhe vlerëson shumë interesimin e tij për mbarëvajtjen e skuadrës.
“Me Florentino Perezin shkoj mirë. Ai është shefi dhe dëshiron që ne të fitojmë. Më pëlqen stili i tij, është shumë afër skuadrës. Nuk humb një lojë, nuk më ka ndodhur kurrë. Ai ju kërkon shumë, por ai është një president i madh, ai ka fituar gjithçka”,- u shpreh belgu në përfundim të intervistës. /i.m /abcnews.al