Kryeministri Edi Rama komentoi përfshirjen e të miturve në akte dhune gjatë protestave, duke e cilësuar shqetësuese pjesëmarrjen e tyre.
Rama u shpreh se dhuna mund të kthehet në një mjet kundër mësuesve, shkollave, pedagogëve, universiteteve dhe kujtdo që konsiderohet pengesë.
Sipas tij, të miturit duhet të konsiderohen fëmijë që kanë nevojë për ndihmë, ndërsa theksoi se duhet të identifikohen burimet që i ushqejnë me frymën e dhunës.
Rama tha se, ndryshe nga rasti i të rriturve, për të cilët dënimi dhe izolimi mund të përmbushin misionin e shtetit, për të miturit përgjegjësia e shtetit fillon pikërisht aty.
“Dhuna mund të kthehet në një mjet kundër mësuesit, shkollës, pedagogut, universitetit, pronarit të sipërmarrjes, kundër gjithkujt që dikush e konsideron pengesë.
Ajo që ka qenë befasi shqetësuese ka qenë pjesëmarrja domethënëse në numër dhe shqetësuese në formë e të miturve. Të mitur që duhet t’i konsiderojmë fëmijë që kanë nevojë për ndihmë.
Duhet të mendojmë se si duhen neutralizuar burimet prej nga ushqehen me frymën dhe me joshjen e dhunës. Përpara se të shpjegojmë dhe të gjejmë se kush i përdori, duhet të gjejmë se si familja duhet ndihmuar që t’i kthejë në një sens bashkëjetese dhe të tërë.
Kemi ndjekur me vëmendje se çfarë ka bërë Franca dhe Italia, ku dhuna e të miturve ka qenë prezente. Penalizimi administrativ dhe financiar për familjen, por përsëri, nëse për një të rritur dënimi i merituar dhe izolimi nga pjesa tjetër e shoqërisë e përfundon misionin dhe funksionin e shtetit, për të miturin misioni nis aty.”


