Radoiçiç: Nuk lejojmë që veriu të udhëhiqet nga ata që fituan 1-2% të votave

schedule23:35 - 23 Prill, 2023

schedule 23:35 - 23 Prill, 2023

Nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiç, tha se populli serb në Kosovë “nuk do të lejojë kurrë” që komunat me shumicë serbe në veri të vendit të udhëhiqen nga ata që kanë fituar “1 apo 2 për qind të votave” në zgjedhje. Ai nuk saktësoi se çfarë masash mund të ndërmerren, shkruan REL.

Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, Radoiçiq tha se beson se “të gjithë e kanë kuptuar mesazhin që dha populli serb nga veriu i Kosovës”, i cili e bojkotoi në masë të madhe procesin zgjedhor.

Radoiçiç deklaroi se i falënderon bashkatdhetarët e tij nga Leposaviqi, Zveçani, Mitrovica e Veriut dhe Zubin Potoku për “patriotizmin, dinjitetin, nderin dhe unitetin e dëshmuar”.

“Është në dorën tonë që së bashku me vendin tonë, Serbinë, dhe me presidentin Aleksandar Vuçiq ta vazhdojmë luftën për të ruajtur paqen dhe të drejtën e serbëve për të jetuar jetën e tyre”, tha Radoiçiç.

Të dielën e 23 prillit, në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviç – u mbajtën zgjedhjet e parakohshme lokale.

Pjesëmarrja në proces ishte e ulët – pak më shumë se 3 për qind, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Kjo, pasi Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk mori pjesë në zgjedhje dhe u bëri thirrje qytetarëve serbë t’i bojkotojnë ato.

Sipas të dhënave të KQZ-së, në Mitrovicë të Veriut dhe në Leposaviç fituan kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa në Zubin Potok dhe Zveçan ata të Partisë Demokratike të Kosovës.