Kopshti Botanik dhe ndërtimi i dy shkollave të reja, një nëntë vjeçare dhe një e mesme është premtimi i kryebashkiakut Erion Veliaj për banorët e zonës së liqenit të thatë në Tiranë.
“Kopshti Botanik sot është kthyer në një ferrishte të madhe dhe ndërkohë kemi një super plan, siç bëmë Zoologjikun, me provë, fitoi Bashkia, pra fitoi gjithë qyteti, por fitoi edhe komuniteti këtu, se ka një parkim nëntokësor që s’e kishte përpara. A mjafton? Jo, nuk mjafton, por po të lejohemi të punojmë edhe atje, nëntokë e bëjmë parking, sipër lule, kështu që në njësinë tonë kemi edhe florën, edhe faunën, pra edhe kafshët, edhe lulet”, tha Veliaj.
“Loti i fundit i shkollave, veç dy shkollave në Astir dhe dy të tjerave në anën tjetër të Lanës, dy shkolla të reja janë planifikuar edhe në këtë njësi”, shtoi ai.
Në takimin me banorët e kësaj lagje Veliaj bisedoi dhe për vlerën e pronës pas transformimit të zonës.
“Mbaj mend ditën e parë të punës, ku pjesa këtej e liqenit që e kapte Farka ishte e gjitha me ato kioskat dhe ato kasollet që digjnin plastikë e mblidhnin plehra dhe kur mendoj që sot konsiderohet një ndër lagjet që ka më shumë rritje të vlerës së pronës, është vërtetë një mrekulli. Ishim tek një nga ato agjencitë imobliare dhe na tha se është zona që ka rritjen më të madhe të vlerës së pronës. Edhe ai që është sharësi më i madh e më profesionist, vetëm duke qëndruar, duke sharë, është bërë më i pasur. Unë besoj që punët e mira duhet t’i kemi përpara patjetër”, theksoi kryebashkiaku.
Veliaj kishte dhe nje mesazh edhe për kandidatët e opozitës që garojnë në 14 Maj për Bashkinë e Tiranës.
“Në kohë fushate, thonë amerikanët, është pak si cirku në fshat. Në cirkun në fshat dalin gjithë kllounët që na përshëndesin. Do dëgjoni lloj – lloj çudirash. Këta e kishin Kopshtin Zoologjik. Në atë kohë hante luani patate. Gjëra të tilla që duken si përralla nga e kaluara nuk duken më. Qyteti është komplet një realitet tjetër. Kur vijnë këta dhe thonë çudirat, duhet t’ju kujtojmë që e kishin. Këtu ishte një xhep i Farkës, sot është kthyer njësia në shërbim të qytetarëve dhe qytetarët e kësaj zonë nuk do shkojnë më në Farkë për shërbime. Unë besoj se kush ka bërë 9 punë, bën dhe 10. Kush ka bërë 40 shkolla, bën dhe 44. Kush ka bërë 99 ndërhyrje dhe investime, bën dhe 101. Në këtë sens, propozimi që kam për njësinë tuaj është: Të ecim përpara, të vazhdojmë me punë pavarësisht gjithë sharjeve e gjithë çudirave”, u shpreh Veliaj.
Fushtata e gjelbër e socialistëve vijoi dhe në këtë zonë të Tiranës me mbjelljen e fidanëve të rinj./abcnews.al