Një 19 vjeçar ka humbur jetën dhe 6 të tjerë janë plagosur si pasojë e një aksidenti të ndodhur në Greqi në orët e para të mëngjesit të së dielës. Mediat vendase shkruajnë se aksidenti ka ndodhur në autostradën kombëtare Athinë-Selanik, në lartësinë e tunelit të Platamonas, ku një autobus ka përplasur dy makina pasagjerësh.
Si pasojë e aksidentit tre të rinj të tjerë përkatësisht të moshës 19, 22 dhe 24 vjeç që gjendeshin në të njëjtën makinë ku humbi jetën 19 vjeçari janë të plagosur dhe tre të tjerë kanë mbetur të plagosur tek makina tjetër.
Sipas informacioneve, një autobus i KTEL-it që qarkullonte në linjën Selanik-Athinë ka përplasur dy makina pasagjerësh të cilat janë ndalur në Korsinë e Urgjencës në PATHE.
Në autobusin e KTEL-it ndodheshin gjithsej 77 persona, të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe vazhduan rrugën për në Athinë me një tjetër autobus. Ndërkaq shoferi i autobusit që shkaktoi aksidentin është arrestuar.
Siç raportojnë mediat dy automjetet kanë qenë ndalur në Korsinë e Emergjencës dhe në rrethana të paqarta autobusi i KTEL-it është përplasur me to.
Sipas informacioneve, dy nga gjashtë të plagosurit, të cilët kanë plagë të rënda, po trajtohen në spitalin e përgjithshëm Papageorgiou në Selanik, ndërsa katër të tjerët po trajtohen në spitalin e Larisës./abcnews.al