Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk duan të kalojnë 19 vjet të tjera luftë si ajo në Afganistan, ndaj u ka bërë thirrje vendeve të tjera që të luftojnë Shtetin Islamik. Veç vendeve ku ISIS është i pranishëm, Trump ka thënë se në betejë duhet të përfshihen edhe Rusia dhe India.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të mërkurën se vende të tjera veç Shteteve të Bashkuara duhet ta luftojnë Shtetin Islamik, duke cituar Rusinë, Pakistanin dhe Irakun si shembuj.
“Në njëfarë pike, Rusia, Afganistani, Irani, Iraku dhe Turqia duhet të luftojnë luftën e tyre”, tha Trump nga Shtëpia e Bardhë, duke shtuar se edhe India duhet të përfshihet.
Sipas tij, të gjitha vendet ku ISIS është i pranishëm duhet të përfshihen në betejë.
“Shtetet e Bashkuara nuk duan të kalojnë 19 vjet të tjera duke luftuar në Afganistan”, deklaroi Trump.
Një ditë më parë, sekretari i Shtetit, Mike Pompeo deklaroi se militantët e Shtetit Islamik po rifitonin terren në disa zona, por shtoi se kapacitetet e grupit për të kryer sulme janë reduktuar në mënyrë të ndjeshme.
Po të martën, Departamenti i Shtetit ofroi një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për çdo informacion që do të çonte në lokalizimin e liderëve të ISIS. Më herët gjatë vitit, forcat e mbështetura nga Shtetet e Bashkuara deklaruan rimarrjen e territorit të fundit të Shtetit Islamik në Siri.
Sidoqoftë, që atëherë janë ngritur shqetësime se grupi terrorist po forcohet sërish, përveç Sirisë edhe në Irak. Ndërkohë, në Afganistan, një marrëveshje e paqes mes talebanëve dhe Shteteve të Bashkuara për uljen e armëve mund t’i shtyjë guerrilasit afganë të bashkohen me ISIS, kanë paralajmëruar autoritetet në Kabul./ABC News Albania 24/7