Rreth 4 milion euro është shuma që mendohet se do të duhet për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shprehet i gatshëm për të nisur punën, nëse të enjten do të shpërndahet parlamenti i vendit, dhe presidenti Hashim Thaçi do të caktojë një datë për zgjedhjet e reja.
Mediat në Kosovë raportojnë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i gatshëm për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, mirëpo ende i mungon një anëtar nga radhët e koalicionit PAN. Por kjo gjë nuk pritet të pengojë procesin zgjedhor. Në bazë të praktikave të mëhershme, KQZ-së në total i duhen 4 milionë euro për të mbuluar koston e zgjedhjeve.
Në rast të shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, më 22 gusht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i gatshëm t’i fillojë përgatitjet menjëherë pasi presidenti Hashim Thaçi ta caktojë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Pavarësisht se viti 2019 nuk është pritur të jetë vit zgjedhor, përfaqësues të këtij institucioni thonë se KQZ-ja është e gatshme për zgjedhje, ndonëse sipas tyre ende nuk është caktuar kostoja që do t’i mbulonte shpenzimet e tyre, shkruan më tutje Gazeta Zëri.
Zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2017 buxhetit të Kosovës i kanë kushtuar rreth 4 milionë euro dhe një shumë e përafërt pritet të ndahet përsëri nga buxheti i shtetit për organizimin e tyre në këtë vit. /ABC news Albania 24/7