Vetëm para pak ditësh, “shqiponjat” gjermane të Eintracht Frankfurt njoftuan se “arkitekti” japonez i mesfushës, Daichi Kamada do të largohet nga klubi në fund të sezonit aktual, me 26-vjeçarin, i cili refuzoi zyrtarisht ofertën e gjermanëve për rinovimin e kontratës dhe tashmë Kamada do të largohet nga Gjermania si një lojtar i lirë në merkaton e verës.
Falë largimit me parametra zero dhe kualitet që ofron në qendër të fushës, Kamada ka rënë në “shënjestrën” e “gjigandëve” të Evropës. Borussia Dortmund, Liverpool e Bayern Munich prej kohësh janë në ndjekje të “samurait”, mirëpo prioriteti i vetëm mbetet Spanja, me Sevilla, Barcelona e Atletico Madrid që mbeten “kandidatët” kryesorë.
Padyshim një ndër lojtarët më të spikatur në Bundesliga-n gjermane këtë sezon, Kamada ka shënuar plot 13 gola e ka dhuruar 5 asistime në 38 ndeshjet e zhvilluara deri më tani në të gjitha garat për “shqiponjat”. Sipas raportimeve të mediave spanjolle, Atletico mbetet ndër prioretet e japonezit, kjo falë dhe largimeve që pritet të bëjnë “bardhekuqtë” në merkaton e verës, me Saul e Kondogbia që shihen jashtë Madridit për sezonin e ardhshëm.
Kamada mund të jetë një transferim me shumë vlerë për mesfushën e Diego Simeone. I afruar me parametra zero dhe me një vlerë prej 30 milionë eurosh, sipas “specialistëve” të Transfermarkt, Kamada ka aftësinë të luajë si “organizator” në mesin e fushës, por edhe si “trekuartist” në ndërtimin e aksioneve, pozicion ky që lidhet perfekt me dyshen e sulmit të Atletico, Memphis Depay e Antoine Griezmann. /i.m /abcnews.al