Veliaj: Regjistroni vendbanimin e saktë që bashkia të investojë më lehtë nesër

schedule14:32 - 19 Gusht, 2019

schedule 14:32 - 19 Gusht, 2019

Bashkia ka hapur zyrat e reja për pasaporta në të gjitha njësitë administrative në Tiranë.  Kryebashkiaku Erion Veliaj i bëri thirrje qytetarëve të shkojnë të rinovojnë dokumentet e identifikimit. Për t’u treguar që procedura nuk merr kohë, Veliaj aplikoi vetë.

Qytetarët, të cilët nuk kanë rinovuar ende kartën e identitetit apo pasaportën në Tiranë mund të aplikojnë pa mbajtur radhë. Në të gjitha njësitë administrative Bashkia e Tiranës ka hapur zyra të reja.

Për të treguar se procedura nuk merr kohë kryebashkiaku Erion Veliaj aplikoi vetë në sportelin e lagjes 13. Më pas Veliaj ftoi qytetarët që ende nuk kanë bërë regjistrimin e saktë të adresës së tyre, të përfitojnë nga kjo periudhë.

“Herën e fundit që isha në këtë zyrë, në zyrën e lagjes sime, më mori 2 minuta kohë që të bëja zhvendosjen e rezidencës. Do të thotë se duhet të regjistrohemi të gjithë atje ku banojmë, që bashkia ta ketë të lehtë edhe për investimet nesër, edhe për mënyrën si ndan buxhetin, ose si ofron shërbimet”.

Kryebashkiaku u bëri thirrje qytetarëve të mos presin deri në fund të vitit kur iu përfundon vlefshmëria e dokumenteve të tyre të identitetit, por të nxitojnë për t’i rinovuar. /ABC News Albania 24/7