Flamurtari nuk ndalet në merkato

schedule14:04 - 19 Gusht, 2019

schedule 14:04 - 19 Gusht, 2019

Ditë intensive për merkaton e vlonjatëve, të cilët kërkojnë të plotësojnë grupin në vigjilje të startit të kampionatit. Së fundmi janë prezantuar edhe Ansi Nika, por edhe portieri Shpëtim Moçka. Shkodrani Nika rikthehet kështu në Kategorinë Superiore, pas aventurës në Kosovë me Gjilanin.

Flamurtari i shumë probleme financiare të mbartura nga sezoni i shkuar, por edhe në dilemë ende për të riun vijon të afrojë elementë në radhët e tij duke qenë shumë aktiv në ditët e fundit në merkato.

Dhe janë plot katër lojtarë të cilët kanë nënshkruarve dhe vijnë nga radhët e e Vllaznisë dhe që nuk bëjnë pjesë në planet e kuqebluve. Numri i tyre ka shkuar në katër, pasi Xhevahir Sukajt, Olsi Gocajt dhe Denis Pjeshkës, u është bashkuar së fundmi edhe Ansi Nika. Mesfushori 28-vjeçar Nika ka luajtur me Teutën, Kukësin, Tiranën, Laçin e së fundmi Gjilanin në Kosovë.

Nika është zyrtarizuar sot si blerja më e fundit e Flamurtarit, që vazhdon pak nga pak të mbushë radhët e tij me futbollistë duke filluar të krijojë fizionominë e skuadrës me të cilën trajneri Sadedini do të paraqitet në fillimin e kampionatit. E ndërkaq, rikthehet të mbrojë portën e vlonjatëve edhe një njohje e vjetër. Së fundmi  janë prezantuar si afrime të reja edhe portieri Shpëtim Moçka, por edhe mbrojtësi 21-vjeçar nga Kosova, Lirim Mema.

“Gardiani” 29-vjeçar merr vendin e lënë bosh nga Enea Koliçi, pra, mendohet se do të jetë titullari i portës. Sezonet e fundit Moçka ka mbajtur veshur fanellën e Teutës, Tiranës dhe Bylisit, por pa arritur të lërë gjurmë në përvojën e tij me këtë skuadër. Një Flamurtar që po ndërtohet çdo ditë, edhe pse vijimësia mbetet një rebus i madh. Kryesisht në zgjidhjen e ngërçit financiar./ABC News Albania 24/7