Një 34-vjeçar është arrestuar në Vlorë, pasi dyshohet se ka tentuar të përdorë armë zjarri gjatë një konflikti me një 41-vjeçar në zonën e “Ujit të Ftohtë”.
Policia bën me dije se arrestimi i shtetasit Mario Meçanaj u bë në kuadër të operacionit të koduar “Yacht”.
Ngjarja u regjistrua mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:50, në vendin e quajtur “Rrapi”, në lagjen “Uji i Ftohtë”, ku gjatë patrullimit, shërbimet e Policisë konstatuan një konflikt për motive të dobëta mes 34-vjeçarit dhe një 41-vjeçari, banues në Tiranë.
Ndërhyrja e menjëhershme e policisë bëri të mundur parandalimin e përshkallëzimit të situatës. Gjatë ndërhyrjes, 34-vjeçari tentoi të largohej me vrap, por u kap dhe u neutralizua nga efektivët.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se gjatë konfliktit ai ka tentuar të përdorë një pistoletë, të cilën më pas e ka hedhur në rërë, në vendin ku u kap nga policia.
Gjatë operacionit u sekuestruan arma e zjarrit pistoletë dhe një përforcues metalik grushti, i cili u gjet gjatë kontrollit të automjetit të 34-vjeçarit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.
/abcnews.al/


