Shtetet e Bashkuara kanë miratuar një paketë sanksionesh ndaj më shumë se 100 personave dhe subjekteve në mbarë botën për lidhjet e tyre me luftën e Rusisë në Ukrainë.
Sanksionet e së mërkurës janë veprimi i fundit që synon të reduktojë aftësitë e Moskës në luftën e saj në Ukrainë dhe të ndëshkojë ata që e mbështesin atë, duke përfshirë ndihmën e Rusisë për t’iu shmangur sanksioneve ekzistuese.
Sanksionet e fundit synojnë një rrjet të gjerë të lidhur me miliarderin rus Alisher Usmanov, i cili tashmë është nën sanksione në shumë vende dhe u morën në koordinim me Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas Departamentit të Thesarit të SHBA-së, Usmanov “është një nga miliarderët më të pasur të Rusisë” që “ka interesa të rëndësishme në sektorët e metaleve dhe minierave, telekomunikacionit dhe teknologjisë së informacionit”.
Ai “dihet se është i afërt me shumë zyrtarë të lartë rusë të caktuar nga SHBA, duke përfshirë presidentin rus Vladimir Putin si dhe Dmitry Medvedev, nënkryetar aktual i Këshillit të Sigurimit të Rusisë dhe ish-president dhe kryeministër i Rusisë”, sipas një deklaratë.
SHBA vendosi gjithashtu sanksione ndaj kompanive, me bazë në Kinë, Turqi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Thesari sanksionoi gjithashtu Bankën Ndërkombëtare të Investimeve, i kontrolluar nga Rusia në Budapest, si dhe degën e saj me bazë në Moskë dhe disa ish-ekzekutivë e aktualë.
Përveç kësaj, Departamenti Amerikan i Shtetit po sanksionon dy entitete ruse “që mbështesin përpjekjet e Rusisë për të minuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës nëpërmjet militarizimit dhe indoktrinimit të nxënësve të shkollës.
zgh