Ish- presidenti amerikan Donald Trump ka mbërritur në Manhattan për të dëshmuar para Prokurores të Përgjithshme të Nju Jorkut, Leticia James, tha ai sot në një postim në platformën e tij të mediave sociale Truth Social.
James ngriti një padi për mashtrim shtatorin e kaluar në gjykatën e shtetit të Nju Jorkut në Manhattan kundër Trump dhe tre fëmijëve të tij të rritur, duke i akuzuar ata për falsifikim të vlerave të pronave për të marrë kredi të favorshme dhe për të pasur lehtësime në taksa.
Pas padisë së James, Trump ngriti një padi edhe kundër saj.
Në mars, Trump i kërkoi gjykatës të shtyjë çështjen për gjashtë muaj, duke shtuar se zgjatja do t’i jepte atij kohë për të shqyrtuar materialet, duke përfshirë miliona faqe dokumente, dhe për të marrë në pyetje dhjetëra dëshmitarë.
“Më në fund do të jem në gjendje të tregoj se çfarë kompanie të madhe, fitimprurëse dhe të vlefshme kam ndërtuar, në fakt një nga kompanitë më të mëdha të pasurive të paluajtshme në të gjithë botën”, shkroi Trump sot në një postim tjetër në platformën Truth Social.
Trump, i cili po kërkon të fitojë përsëri presidencën në 2024, u padit gjithashtu në fillim të këtij muaji nga zyra e prokurorit të tij të qarkutManhatan Alvin Bragg.
/abcnews.al